Katër shtetas janë shpallur në kërkim midis të cilëve dy doganierë të Qafë Botës në Sarandë. Pas hetimeve të nisura nga Departamenti i Kufirit janë sekuestruar një sasi mallrash të ndryshme brenda një kamioni, të cilat hynin kontrabandë në kufirin shtetëror shqiptar prej Pikës së Kalimit Kufitar në Qafë-Botë.

“Konkretisht është sekuestruar mjeti kamion me targa AA 537 OF tip ''Benz'' me të cilin bëhej kalimi i mallrave në Shqipëri, gjithashtu në brendësi të kamionit janë sekuestruar nga Policia në cilësinë e provës materiale rreth 140 thasë me veshje, 9 televizorë, si edhe sende shtëpiake si lavatriçe, dollapë, dyshekë, tapete etj”, sqaron policia.

Sipas Policisë, si autorë të kësaj veprimtarie të kundraligjshme kanë rezultuar shtetasit: K.S., S.M., (shoferë të kamionit) dhe A.C., E.D., (doganier në PKK Qafë-Botë), që kanë bashkëpunuar dhe kanë lejuar kalimin dhe futjen e këtyre mallrave pa i deklaruar në Pikën e Kalimit të Kufirit shqiptar.

“Të katërt shtetasit e përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme janë shpallur në kërkim pasi janë larguar në momentin kur kanë kuptuar se Policia po zhvillonte një hetim dhe u ishte vënë në ndjekje. Po vijon puna për kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim si edhe për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor për të tjera raste të veprimtarisë kriminale të kontrabandës”, thuhet në deklaratë.

Materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale ''Kontrabanda me mallra të tjerë''.



/Ora News.tv/