Policia e Beratit ka ndaluar dy persona të cilët dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike pranë shkollave, ndërsa një person tjetër është arrestuar për armëmbajte pa leje.

Personat të cilët u kapën nga policia janë Klei Çobo, 19 vjeç dhe Arges Pirja, 30 vjeç.

"Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin lëndë narkotike pranë shkollave dhe në zona të tjera të qytetit. Shtetasit K.Çobo gjatë kontrollit personal iu gjet një sasi lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva", sqaron policia.

Gjithashtu në vijim të këtij hetimi u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Arben Dibra, 42 vjeç, banues në lagjen “Dëshmorët e Kombit”, Berat.

"Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesë iu gjetën dhe sekuestruan në cilesinë e provës materiale 3 krehra pistolete, 76 fishekë model 56, kalibri 7.62 mm dhe një jelek antiplumb", thotë policia.                                  

 Materialet në ngarkim të shtetasve të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat.

/Ora News.tv/