Kandidati i parë shqiptar për president në Maqedoni, Reka: Shqipëria e Kosova heshtin

Kandidati i parë shqiptar për president në Maqedoni, Reka:

Këtë fundjavë maqedonasit i drejtohen kutive të votimit për të vendosur presidentin e tyre për pesë vitet e ardhshme. Por kandidati i parë shqiptar, Blerim Reka, ndjehet i pambështetje nga disa prej politikanëve shqiptarë në vend, në Shqipëri dhe Kosovë. Ai druhet se lidhjet politike mes qeverive do rezultojnë në zgjedhjen e rivalit të tij, Stevo Pendarovski.

Blerim Reka, kandidati i parë shqiptar për president i Maqedonisë së Veriut, shprehet i habitur për interesin e ulët që institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës tregojnë karshi kandidaturës së tij.

Në një intervistë për KosovaPress, Reka thotë se kjo është mundësia e fundit që maqedonasit të kenë një president shqiptar, i cili mbron fuqishëm kauzat e grupit të dytë etnik më të madh në vend.

"Më ka ardhur pak çudi heshtja e Kosovës dhe e Shqipërisë. Por kuptohet, është krejt legjitime që edhe Prishtina, edhe Tirana sigurisht kanë kandidatë të preferuar presidencialë... ndoshta e kanë kandidat të preferuar Stevo Pendarovskin për arsye të koalicioneve apo të relacioneve miqësore qeveritare, partiake me Shkupin zyrtar. Dhe e vërtetë është, pos Vetvëndosjes si parti dhe Albin Kurtit si lider, përkrahje tjetër nuk ka as nga Republika e Kosovës dhe as nga Republika e Shqipërisë,"-tha ai.

Reka thotë se dëshiron të udhëheqë një shtet me rend republikan në interes të qytetarëve dhe jo elitave pushtetarë, larg korrupsionit apo nepotizmit, dhe ku politikanët qeverisin me duar të pastra.

Por ai rezervon kritika ndaj bashkëkombësit të tij, Ali Ahmeti, të cilin e fajëson për pozitat e dobëta të shqiptarëve në vend, dhe për daljen në krah të rivalit të tij maqedonas për president.

Zgjedhjen e tij në krye të shtetit, Reka thotë se do të balanconte politikën vendase, por sondazhet e fundit nuk e favorizojnë aspak.

Ish-ambasadori Reka do të fitonte vetëm 12 për qind të votës popullore në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që mbahen të dielën, ndërsa përpara tij me plot 33 për qind ndodhet opozitarja e VMRO-së, Gordana Siljanovska, dhe më favoriti mbetet kandidati i qeverisë, Stevo Pendarovski, me 5 për qind më lart.

EMISIONET