Skënderbeu është skuadra më e kënaqur nga përjashtimi i Kamzës nga Komisioni i Disiplinës.

Përveçse siguron automatikisht fazën gjysëmfinale të Kupës së Shqipërisë, skuadra korçare përfiton edhe në kampionat. Kampionët në fuqi të vendit kishin për tu përballur në dy raste me skuadrën e drejtuar nga Gentjan Stojku, por ky vendim ka bërë që në llogarinë e saj të shtohen automatikisht plot 6 pikë.

Të njëjtin "bonus" kanë përfituar edhe skuadra si Luftëtari dhe Flamurtari, që edhe ata si korçarët kishin në program edhe 2 takime me kamzalinjtë. Ndërkohë, 3 pikë përfitojnë skuadra si Partizani, Teuta, Kukësi, Laçi, Kastrioti dhe Tirana.

Sulmi fizik ndaj gjyqtarit të takimit Eldorian Hamiti i kushtoi shtrenjtë skuadrës së Kamzës, që për dështim në përmbushjen e përgjegjësive për organizimin e ndeshjeve, duke mos zbatuar rregullat e sigurisë, duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes dhe zbatimin e ligjit, në bazë të nenit 64/1/b, 64/1/c), 64/1/e), 65/1 dhe 65/2 të KDS, u dënua me përjashtimin nga çdo aktivitet futbollistik për sezonin 2018-2019 si dhe gjobë në masën 1.000.000 (njëmilion) lek. Në bazë të nenit 29 të KDS, FK “Kamza”, u dënua me zbritjen në Kampionatin Kombëtar të Futbollit të Kategorisë së Dytë duke filluar nga sezoni futbollistik 2019-2020 .

/Ora News.tv/