Saimir Tahiri: Jam i pafajshëm në Itali. Bilbila e kopila u bënë bashkë të më fusnin në burg

I ashpër në artikulim dhe shigjetues për ata që kërkojnë arrestimin e tij, ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri doli para medias paraditen e sotme për të njoftuar se kishte fituar betejën e parë me drejtësinë.  

Prokuroria e Antimafias Italiane dhe Prokurori i Përgjithshëm i Republikës në Itali, në përfundim të të gjitha hetimeve, i kërkuan Gjykatës Italiane pushimin e hetimeve për Saimir Tahirin sepse nuk ka asnjë lloj përfshirje në asnjë aktivitet të paligjshëm.

Duke filluar nga politikanët e deri tek ambasadorit ish ministri i akuzoi se kanë gënjyer për të. 

Një vit më parë "Bilbila e kopila u bënë bashkë të më fusnin në burg" - nënvizoi Tahiri në një deklaratë për median, paraditen e sotme (1 nentor) por se para drejtësisë zgjodhi të ishte "qytetar i thjeshtë dhe jo politikan". 

Duke bërë publike dokumentin e gjykatës italiane Tahiri u shpreh i vendosur se do i shkojë deri në fund të vërtetës së tij. Tahiri tha se e vërteta për të vlen shumë përballë atyre që nuk mbajnë përgjegjësi për vëllanë, kunatin apo baxhanakun.

Beteja e dytë tani është me prokurorinë shqiptare e cila "pavarësisht se po heton mbi materialet që morën në Itali, pavarësisht se po zgjat hetimet për të paktën 4 herë duke pritur letra nga Italia, i duhet akoma kohë të zbardhë të vërtetën"- tha Tahiri duke  i bërë apel-  "Në qoftë se nuk mjaftojnë 7 prokurorë, bëjini 70 vetëm mbaroni hetimet dhe tregoni të vërtetën. Siç bëri prokurori antimafia e italisë dhe gjykata atje."

Gjithashtu Tahiri kishte dhe një mesazh për të gjithë ata që në kohët e tij më të vështira treguan se kush ishin. Madje përmendi dhe emra konkretë.

"Unë kurrë nuk do harroj kush më qëndroi pranë në këtë kohë të vështirë, kush u largua pikërisht në këtë kohë të vështirë, e mbi të gjitha, kush e sajoi gjithë këtë kohë të vështirë.

 Nuk e kam të largët natën kur Saliu e Luli i shkuan për darkë në shtëpi në atë kohë të pandehurit Ilir Meta, vetëm një ditë para vendimit të gjykatës. E pasi kishin larë duart me drejtësinë, tallnin kurabien me popullin duke i treguar sa mirë kishte gatuar Monika roston me kumbulla. Do vazhdoj të pres me durim e besim, tek e vërteta ime. Sepse unë nuk jam Lul Basha, një kaqol në politikë por një krimineli ordiner, që vodhi e vrau bashkë me Saliun, e as u hetuan, as u gjykuan e as u dënuan. 

Përgjigje pati dhe për ata që thonë se Edi Rama ka blerë drejtësinë për të. 



Deklarata e plotë e Saimir Tahirit 

(Shenim redaksional: Disa fjali me bold jane shenuar nga redaksia)

Janë tashmë 6 muaj nga hera e fundit që unë kam folur për mediat, e akoma më shumë se 1 vit që nga nisja e kësaj historie.

Kam heshtur, në respekt të hetimeve. Edhe pse, i vetmi që ka heshtur, jam unë.

Të kisha zgjedhur të bëja politikanin, nuk do i kisha lënë rrënjë e dhëmballë pa i përplasur fytyrës të gjithë atyre që kanë folur e mbi të gjitha atyre që hetojnë; prokurorët, e pastaj me rradhë, gazetarë e analistë e deri politikanë në parlament e jashtë parlamentit.

Unë zgjodha të mos bëja politikanin. Siç kanë bërë të gjithë ata që kanë qeverisur e telendisur këtë vend për 30 vjet, kanë vrarë e kanë vjedhur, e nuk janë hetuar e gjykuar kurrë, por kanë marrë me libër llogarie e libër shtëpie prokurorë e gjyqtarë, media e gazetarë, deri sa kanë dalë të palagur.

Unë zgjodha të bëj qytetarin e thjeshtë, vetëm përballë drejtësisë. Të mos bëj politikë, por të pres pa fjalë hetimet dhe verdiktin e drejtësisë.

Ndaj kam heshtur. E për fat të keq, kam heshtur vetëm unë.

Me gjysmaletra e gjysmalajme “nga burime” të Prokurorisë, gazetarët plasnin lajme bombastike që rradhën ta merrnin analistët dënglamëdhenj e medemek të pavarur, të më bënin gjyqin në çdo studio dhe emision.

Politika sigurisht ka bërë të vetën, përditë e në çdo deklaratë, me lloj lloj gënjeshtrash e pisllëqesh.

E nuk mund të bëja gjë tjetër, veçse të qeshja me ca që më kanë njohur mirë e i kam njohur shumë mirë, e bënin sikur nuk më njihnin, e me ca të tjerë që nuk me kanë njohur kurrë por flisnin sikur më kanë njohur gjithë jetën.

Me vrap edhe ambasadorë, pa u menduar dy herë e pa pasur gajle se në vëndet e tyre as do ia vinte njeri në pullë po të flisnin kaq qesim sa flasin këtu, e as do guxonin të flisnin për një proces ku heton prokuroria, e prap kanë folur. Tamam si për ta bërë të vërtetë atë shprehjen “Shqipëri hesapi”.

Kanë gënjyer aq shumë për mua, përditë e përditë e përditë.

Vetëm unë kam heshtur. Duke pritur të vërtetën time.

Me besimin që se kam humbur ende se e vërteta sado vonë, do vijë një ditë, e kur kjo të ndodhë, do bërtasë më fort se gënjeshtrat 1 vjeçare të të gjithë këtyre të marrë bashkë.

Dhe nuk e kam pasur të lehtë të hesht.

Kam pasur e kam ende shumë për të thënë.

Por sot boll!

Kam diçka me rëndësi, që dua ta ndaj me ju dhe publikun, sepse besoj se e vërteta nuk rri dot fshehur sado të mundohet e sponsorizojë dora e zezë që fshehtas e filloi më mua e po vazhdon më shumë akoma tani e ndoshta më keq pastaj.

Ju kujtohet se në datë 24 Tetor 2017, pra vitin e kaluar, dola në konferencë për shtyp dhe deklarova duke treguar edhe dokumentacionin nga Italia, se ndaj meje nuk kishte asnjë hetim.

Atëherë, dora e zezë që me paratë e oligarkëve bredh poshtë lajmeve dhe emisioneve, lëvizi fort për të thënë se letrat që tregova, ishin të fallsifikuara.

Po atë ditë, i premtova publikut se hetimi i prokurorisë shqiptare nuk më mjafton për të vërtetën time përballë shqiptarëve.

Dhe bëra atë që nuk ka bërë asnjë politikan shqiptar.

Kërkova që krahas hetimeve në Shqipëri, të hetohem edhe në Itali, nga të njëjtët prokurorë të Antimafias Italiane të sprovuar në hetime shumë më të komplikuara e serioze se ky për mua.

Pas konferencës sime për shtyp, të njëjtën gjë e kërkoi edhe prokuroria shqiptare.

Dhe Prokuroria e antimafias italiane regjistroi zyrtarisht hetim ndaj meje, në datë 27 Tetor 2017. Vetëm 3 ditë më pas.

Janë prokurorë që nuk e kishin mëndjen të shpërndanin gjysmëlajme e gjysmaletra nëpër media e portale, por në heshtje e me shumë punë, hetuan edhe pretendimet e prokurorisë shqiptare për përfshirjen time ose jo në atë që u quajt banda e trafikut të drogës.

Prokurori i Antimafias Italiane dhe Prokurori i Përgjithshëm i Republikës në Itali, në përfundim të të gjitha hetimeve, i kërkuan Gjykatës Italiane pushimin e hetimeve për Saimir Tahirin sepse nuk ka asnjë lloj përfshirje në asnjë aktivitet të paligjshëm.

Gjykata Italiane miratoi kërkesën e Prokurorëve të Antimafias dhe unë kam sot vendimin e Gjykatës, ku miraton kërkesën e Prokurorisë për pushimin e hetimeve ndaj meje.

Cuditërisht mëndja e ligë dhe dora e zezë që dosjen e kësaj çështje e solli që ditën e parë nga Italia në Shqipëri duke u kujdesur t’ia shpërndaj me lezet mediave, këtë vendim pozitiv që ka të paktën disa muaj që ka dalë nga zyra e prokurorit për në Gjykatë, as e gjeti, as e tha e as e shpërndau.

Por kjo ka pak rëndësi sot. Ka një rradhë për të gjitha gjërat, e unë di mirë të pres rradhën e çdo gjëje.

Ajo që ka rëndësi sot është vetëm një gjë: Unë u akuzova e nuk bëra politikë, nuk u fsheha, nuk gënjeva, nuk sajova. Unë u përballa.

Dhe sot jam i vetmi politikan shqiptar, që vetëm pse përmendem në bisedat e ca trafikantëve, kërkova vetë e jam hetuar jo një herë, por dy herë nga prokuroria e antimafies italiane.

Një herë në hetimin 4 vjecar të vetë trafikantëve dhe një herë tjetër kur kërkova që të hetohesha në mënyrë specifike vetëm unë.

Dhe rezultati është ky sot, që autoritetet italiane me vendim të formës së prerë, kanë mbyllur hetimet sepse nuk kam asnjë lidhje më asgjë të paligjshme.

Jam i vetmi politikan shqiptar që për tu hetuar pse jam përmendur nga 2 trafikantë që u gjetën kushërinjtë e mij të 8, dhash dorëheqjen nga mandati i deputetit e nga çdo aktivitet publik, heshta e prita që të hetohej gjithçka lidhej me mua jo vetëm në Shqipëri por edhe në Itali.

E sigurisht më vlen më shumë e vërteta ime, këtu në këtë vendin tonë ku, kur ua do interesi, politikanë e gazetarë e dënglamedhenjtë analistë, çirren studjove se nuk mund të mbahet përgjëgjësi për vëllain, për motrën, për burrin, gruan, për djalin e vajzen, kunatin e baxhanakun.

Kur nisi kjo histori, Prokurorët kërkuan arrestimin tim me pretendimin se na kanë ardhur dosjet nga Italia dhe Prokuroria Antimafia Italiane.

Lulzim Basha kërkonte arrestimin tim, sepse Saimir Tahiri është është marr me trafik droge e këte nuk e thotë opozita, por antimafia Italiane.

Monika Kryemadhi e me ç’ka tjetër, bënin të njëjtën gjë.

E jo vetëm këta. Por një orkestër e tërë që ndanin interesa politike e jo vetëm, u bënë bashkë ca të nënës e ca të njerkës, bilbila e kopila, se Saimir Tahiri duhej në burg, se nuk e thonin këta, por antimafia Italiane.

Unë ua bëra qefin më shumë se ç’ndoshta kishin menduar. Kërkova hetim pikërisht nga antimafia italiane, prokurori dhe gjykatë, dhe ata më njoftuan vendimin zyrtar ku pushojnë çdo hetim ndaj meje.

E mbani mënd pretendimet se unë paskam përfituar një byzylyk dhe një kostum. Sesi madje unë kisha komunikuar me shitësat në telefon, madje kisha shkuar edhe në itali të provoja kostumin.

Prokuroria e antimafias italiane dhe gjykata nuk e kanë lënë pa verifikuar. Kanë marrë të gjitha faturat e shitjeve, librin e llogarive dhe shitjeve ditore, faturat fiskale, kamerat e dyqaneve dhe kanë marrë në pyetje shitësit e dyqaneve, duke përfshirë takime dhe telefonata të mundshme të miat apo të kujdo tjetër të përfshirë….dhe kanë dalë me përfundimin se janë të gjitha GëNJESHTRA.

Nuk e them unë, por prokuroria antimafia italiane dhe Gjykata Italiane.

Bashkë me Interpolin janë verifikuar të gjithë hyrje daljet e mia jo vetëm në Itali, por në të gjithë zonën Shengen, për të parë nëse ka ndonjë hyrje dalje timen me cilindo nga personat e përfshirë në hetim…dhe kanë dalë në përfundimin se nuk ka asgjë.

Edhe këtë nuk e them unë, por prokuroria antimafia italiane dhe Gjykata Italiane.

Këto e shumë të tjera janë hetuar plotësisht, pa zhurmë e pa politikë, ndaj Porkuroria e Antimafies Italiane dhe Gjykata po atje, më dorëzuan një vendim të qartë sa drita e diellit ku pushohen hetimet ndaj meje.

Nuk e di a do ketë kurajo njeri të thotë se e paskam blerë edhe antimafian italiane dhe gjykatën italiane? Këta që hetuan Toto Rinën dhe mafien siciliane, i kam blerë unë? Apo do thonë se do i këtë blerë Edi Rama që rujna zot mos kontrollon prokurori e gjykata nëpër evropë?

Përtej të gjithave, ky që po ndaj me ju sot, është një lajm i mirë për mua dhe familjen time, e një forcë më shumë për të gjithë ata që më kanë besuar çdo ditë.

Edhe pse nuk ka qënë e lehtë të besoje tek unë, dhe kjo për shkak të heshtjes sime përballë malit të madh me gënjeshtra që shpërthente përditë në TV nga gojët e palaçove që nuk kanë lënë gjë pa bërë duke shitur shpirtin.

E sado më kanë baltosur, me gjysmaletrat e gjysmalajmet që dilnin nga Prokuroria, me lajmet e sponsorizuara nga dora e zezë që ka tredhur dënglamëdhenjtë që bëjnë si analistë duke më bërë gjyqin në çdo ekran, sado kanë drejtuar gishtin ndaj meje kaqolat e politikës që nuk kanë lënë cep të Shqipërisë pa vjedhur e nuk kanë kursyer as vrasjet mu në mes të bulevardit, unë dua ti falenderoj shumë sinqerisht. Të gjithë!

Sepse më kanë bërë një shërbim të madh që ndoshta as vetë nuk do ia bëja vetes.

Më vunë në një sprovë të madhe njerzore, duke më dhënë mundësinë të kërkojë të drejtën time edhe atje ku nuk e kisha menduar ndonjëherë, për të nxjerrë në dritë gjithçka dija unë vetë, por nuk më mjaftonin fjalët t’ia shpjegoja kujdo.

Më kanë dhënë mundësinë të bëhem i pari në politikë që të vërtetën time ta kërkoj jo pas pushtetit, por para drejtësisë. E jo me pushtet, por vetëm me forcën e të vërtetës.

E jo vetëm në Shqipëri por edhe në drejtësinë e një vendi tjetër të BE ku hetimet bëhen seriozisht e jo politikisht.

Më kanë dhënë mundësinë të shoh njerëzit në sy, e të ndjej vështirësinë e tyre qoftë edhe për të më përshëndetur, jo më për të ndënjur me mua.

Ashtu siç për të ndjerë forcën e miqësisë të atyre që pavarësisht kostove, më qëndruan afër pa marrë parasysh pasojat.

Më kanë dhënë mundësinë të vë në provë dashurinë e familjes sime e të njerëzve më të dashur afër meje, që duronin akuza nga më mostruozet, e mbaheshin fort pas heshtjes sime.

Më kanë dhënë mundësinë të njoh veten më mirë, të njoh njerëzit më mirë, politikën më mirë e drejtësinë më mirë.

E unë kurrë nuk do harroj kush më qëndroi pranë në këtë kohë të vështirë, kush u largua pikërisht në këtë kohë të vështirë, e mbi të gjitha, kush e sajoi gjithë këtë kohë të vështirë.

Dhe ende nuk është fundi. Unë pres hetimet e prokurorisë shqiptare, që pavarësisht se po heton mbi materialet që morën në Itali, pavarësisht se po zgjat hetimet për të paktën 4 herë duke pritur letra nga Italia, i duhet akoma kohë të zbardhë të vërtetën.

Ka kaluar 1 vit tashmë. E nuk është vetëm një prokuror, por 7 prokurorë që nisën këtë hetim këtu.

Pas hetimit të 3000 të vrarëve në 1997, nuk ka pasur çështje të dytë shqipëria, ku të angazhohen prej 1 viti 7 prokurorë.

Dhe ka kaluar më shumë se 1 vit.

Letrat nga Italia i dorëzva në Prokurori të hënën dhe do kërkoj të drejtën time të plotë në çdo instancë të procesit.

Kam duruar 1 vit gënjeshtra pafund. Nga ato gënjeshtrat që i marrin gazetarët dhe analistët, i plasin nëpër ekrane vetëm për të hedhur baltë mbi mua.

Unë them boll! 1 vit ishte mjaftueshëm. Tani nuk do hesht.

E në qoftë se nuk mjaftojnë 7 prokurorë, bëjini 70 vetëm mbaroni hetimet dhe tregoni të vërtetën.

Siç bëri prokurori antimafia e italisë dhe gjykata atje.

Deri tani është hetuar e gjithë jeta ime, familja ime, miq e të afërm, me kë jam jam takuar e me kë kam bërë pushime.

Kush e si kam paguar dreka, darka, e pushime, madje edhe nëse kam paguar pushimet në kavalishencën e Durrësit, kanë hetuar.

Kush është futur në zyrën time gjatë ushtrimit të detyrës, me kë kam folur në telefon e me kë jam përshendetur.

Nuk është lënë gjë pa u hetuar.

Edhe cfarë duhet akoma? Edhe sa kohë duhet akoma? Unë këtë nuk e di, por jam ofruar nga dita e parë për prokurorinë, e vazhdoj sot pres vetëm një gjë, të vërtetën.

U bë mbi një vit e unë nuk jam thirrur ende qoftë një herë të vetme. Nuk di as cfarë kanë hetuar, as cfarë presin të hetojnë, pavarësisht se sipas ligjit më takon e drejta të di.

Janë futur në hetim njerëz kot më kot, vetëm pse më kanë njohur apo kanë punuar me mua, sepse vetëm kështu mund të mbahej në këmbë medemek një grup kriminal që paska qënë i drejtuar prej meje.

Do vazhdoj të pres me durim e besim, tek e vërteta ime.

Sepse unë nuk jam Lul Basha, një kaqol në politikë por një krimineli ordiner, që vodhi e vrau bashkë me Saliun, e as u hetuan, as u gjykuan e as u dënuan.

Një herë në opozitë e një herë si ministër i Brendshëm i kam denoncuar në Prokurori për vrasjen e 4 protestuesve në bulevard.

E prap nuk hetohen, nuk gjykohen e as dënohen.

Dalin edhe thonë se Edi Rama po mbyll hetimin a gjykimin për mua. Pika që nuk u bie.

Nuk e dijnë që drejtësia e blerë, nga kushdo, madje Edi Rama i pari, për mua është me keq se çdo dënim.

Por nuk kanë faj që e mendojnë kështu. Nuk e kam të largët natën kur Saliu e Luli i shkuan për darkë në shtëpi në atë kohë të pandehurit Ilir Meta, vetëm një ditë para vendimit të gjykatës. E pasi kishin larë duart me drejtësinë, tallnin kurabien me popullin duke i treguar sa mirë kishte gatuar Monika roston me kumbulla.

Nuk është larg dita kur rrethohej prokuroria edhe me polic, që mos hetohej Lul Basha, që ikte si lepur me raporte mjeksore e nuk u gjykua kurrë për vjedhje miliona euro e vrasje.

Dhe këta më bëjnë sot moral. Se nuk kanë faj, ia kanë hedhur drejtësisë.

Por unë jam ndryshe. Nuk jam si këta asnjë ditë të jetës sime. Sepse sa më vlen ndërgjegja e qetë dhe e vërteta, nuk më vlen asgjë tjetër.

As iu fsheha drejtësisë për asnjë ditë, as u fsheha pas politikës, pas parlamentit, pas mandatit e pas pushtetit.

Dhashë dorheqjen nga të gjitha për të pritur drejtësinë si çdo qytetar i këtij vendi.

E ç’ka ndodhur, me ç’kam parë e dëgjuar nga të katër anët, më jep sot arsye më shumë për të besuar në gjithçka kam bërë kur kam shërbyer si Ministër i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, me një ekip të shkëlqyer në ministri e kolegë plot besim në parlament e qeveri.

Jam krenar për çdo ditë të punës sime, se ndërtuam, dhe e them me plot gojën, “Policinë që Duam”, me burra e gra, djem e vajza që më në fund u bënë krenarë që shërbenin në Policinë e Shtetit.

E sado të hedhin baltë, nuk e mbulojnë dot kurrë.

Gjithçka ka ndodhur me mua gjatë këtij viti, nuk është hata. Sa mijra qytetarë janë në Shqipëri, që padrejtësia u përplaset në fytyrë përditë, e nuk flasin dot e as dëgjohen dot.

E mua sot më vjen turp të bërtas kaq fort për padrejtësinë që mu bë mua, kur padrejtësia që ka ulur në gjunjë mijra familje që nuk marrin dot pronën, që nuk shkollojnë dot fëmijën, që nuk hyjnë dot në derën e spitalit, apo më keq akoma që nuk gjejnë dot kafshatën e bukës, kur kjo padrejtësi, është më e fortë se çdo gjë që kam jetuar unë.

Jam rrëzuar shumë herë, e jam ringritur. Kam gabuar shumë herë, e kam mësuar.

E kam mësuar se përballë padrejtësisë për jetën e çdo qytetari në çdo cep të shqipërisë, ka vetëm një rrugë; të mbledhin veten e të godasin fort palaçot që e bënë këtë vend copa duke vjedhur e duke vrarë.

E në qoftë se i shpëtuan drejtësisë së ligjit, me lek e pushtet, të mos i shpëtojnë drejtësisë së popullit, sot e kurrë ndonjëherë.

Kush ka rënë e nuk është ngritur, kush ka vuajtur e nuk ka pritur, e di mirë se ka një ditë më të mirë e më e drejtë.

Unë e provova vetë, e sot e di shumë mirë, se në çdo ditë timen të vështirë, nuk kanë munguar njerëzit e thjeshtë që me dashuri më kanë dhënë një dorë për të qënë ky që jam e për të bërë atë që kam ëndërruar bashkë me shumë të tjerë.

E sot i kam një borxh shumë të madh, të gjithë atyre që më qëndruan pranë, qoftë edhe me një sms në telefonin tim.

Unë jam Saimir Tahiri që kam qënë, e do vazhdoj të jem njëlloj me të njëjtën forcë për të luftuar për të vërtetën e të drejtën. Jo vetëm timen, por të të gjithë atyre që duhet të çohen në këmbë për të marrë mbrapsht atë që meritojnë nga ligji e nga zoti.

E sot jam po njëlloj. Dua më shumë njerëzit se pushtetin. Dua më shumë të drejtën sesa intrigën. Dua më shumë ata që bëjnë mirë edhe kur mundësitë për të bërë mirë janë me sakrifica, sesa ata që e kanë shpirtin e lig e bëjnë poshtërsi edhe kur mund të bëjnë mirë.

Drejtësia në Itali e tha fjalën e fundit. Prokuroria antimafia italiane gjykata italiane nuk bënë politikë por hetim të vërtetë dhe e thanë fjalën e fundit.

Beteja ime vazhdon deri në fjalën e fund të drejtësisë edhe në Shqipëri.


Pas kësaj, jam i lirë. E sot nuk kam dot fjalë të shpejgoj siç duhet çdo të thotë të jesh i lirë pasi ke fituar beteja kaq të rëndësishme në jetën tënde.

E për këtë nuk kam as fjalë të falenderoj këdo që ka besuar apo edhe që ka dyshuar qoftë një herë të vetme tek unë.

E vërteta na ndan e na bashkon përsëri. Të gjithëve. Por vetëm e vërteta ama.




Tre ditë më parë,Tahiri dorëzoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dokumente shtesë në lidhje me dosjen ku është i akuzuar si pjesë e grupit Habilaj. 

Jo zyrtarisht, mësohet se Tahiri ka dorëzuar në zarf një vendim të autoriteteve italiane të drejtësisë që kanë pushuar hetimet ndaj tij.

Ndërkohë me kërkesë të Prokurorisë shqiptare, Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë me tre muaj hetimet për ish-Ministrin e Brendshëm.



EMISIONET