Ka ardhur koha për të ecur përpara me vendosmëri

Ka ardhur koha për të ecur përpara me vendosmëri

Fjala e plotë e kryeministrit Ramush Haradinaj në Këshillin e Tretë të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, sot në Bruksel.

E nderuar Përfaqësuese e Lartë Mogherini,

I nderuar z. Danielsson,

Të nderuar përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së,

Republika e Kosovës mirëpret Këshillin e Tretë të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, me qëllim të rishikimit të progresit dhe sfidave në rrugën tonë europiane.

Përkundër neglizhencës dhe mungesës së qartësisë për perspektivën tonë europiane nga ana e BE-së, Republika e Kosovës është fuqimisht e vendosur për anëtarësimin në BE si prioritet i lartë i saj, gjersa vazhdon të punojë pandërprerë për të arritur zbatimin e plotë të MSA-së, dhe të respektojë obligimet e kontratës sonë të përbashkët.

Qëndroj këtu sot si kryeministër i një shteti sovran. Unë përfaqësoj popullin tim që ka vuajtur për besimin e tij në liri - dhe vazhdon të vuajë edhe sot.

Me bindje të plotë mund të them se nuk ka vend në Europë më të përkushtuar ndaj idealeve të Bashkimit Europian se sa Kosova. Vlerat tona janë vlerat tuaja, shpresat tona për fëmijët tanë janë të njëjta me shpresat tuaja për fëmijët tuaj.

Kosova është shoqëri dinamike, që ka rini edhe më dinamike. Ata nuk i gëzojnë liritë që për ju janë normale. Ata nuk mund të udhëtojnë lirshëm, nuk mund të tregtojnë lirshëm, nuk mund të luajnë lirshëm dhe nuk mund të jenë pjesëmarrës të plotë dhe të barabartë në komunitetin e kombeve të lira. Përkundër këtij fakti fatkeq, ata thyejnë barriera, edhe pa pasur viza, duke arritur rezultate të nivelit botëror në sport, muzikë, arsim, inovacion. Dhe kjo shumë lehtë mund të ketë qenë arritje e Europës.

Edhe pse Kosova zbatoi të gjitha 95 kriteret e paracaktuara, siç është konfirmuar nga Komisioni në muajin maj, përgjigja që marrim nga BE, është gjysmake dhe e pashpresë.

Edhe përkundër angazhimit të plotë në Agjendën e Reformës Europiane(ERA), dhe reformave të fuqishme të ndërmarra për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe institucionet e tij, Kosova ndjehet e tradhtuar dhe e zhgënjyer nga BE. Njerëzit tanë sprovohen përtej asaj që është e arsyeshme dhe e drejtë. Koha nuk është miku ynë. Duhet të shohim progres konkret.

Të nderuara shtete anëtare të BE-së, kjo është thirrja ime për ju:

Duhet të përshpejtojmë dhe konkretizojmë proceset e integrimit. Caku përfundimtar i rrugëtimit është i qartë - por ende, nuk është i prekshëm për ne.

Kemi nevojë për një sinjal të qartë nga ju se i respektoni arritjet tona dhe se kemi mbështetjen tuaj, në mënyrë aktive, veçanërsiht në realizimin e lëvizjës së lirë për qytetarët e Kosovës.

Qeveria dhe unë, asnjëherë, nuk e kemi vënë në pikëpyetje rëndësinë e dialogut. Kjo është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë, që të bëhemi anëtarë të barabartë të familjes europiane.

Megjithatë, njëzet vjet pas luftës, dhjetë vjet pas pavarësisë, dhe pesë vjet pas Marrëveshjes së Brukselit, realiteti është se, përparimi drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë minimal, dhe në fakt tani ka dalur krejtësisht nga binarët, veçanërisht me diskutimin publik mbi idenë fatale të korrigjimit të kufirit dhe shkëmbimit të territorit; Ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e ndërmjetësuesit, dhe ka dëmtuar arritjet që kemi bërë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE për më shumë se 7 vjet.

Më lejoni të theksoj edhe një herë, unë si Kryeministër dhe Qeveria e Kosovës, kundërshtojmë fuqishëm dhe e refuzojmë këtë ide, e cila do të sjellë vetëm luftëra dhe tragjedi të reja në Ballkan. Kushdo që flet për kufijtë, territorin, apo çfarëdo korrigjimi tjetër për vendim tim, është armiku ynë.

Si Kryeministër, ndodhem këtu për t'iu ballafaquar me të vërtetën, realitetin dhe orientimin e vendit tim, jo çfarë doni ju të dëgjoni, ose për çka jeni njoftuar nga dikush tjetër. Realiteti është se ne jemi shtet sovran, demokratik dhe multi-etnik, dhe bazuar në këtë të vërtetë të padiskutueshme, ne duam të arrijmë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Prandaj, si Kryeministër, unë kam ecur përpara dhe kam paraqitur një draft Marrëveshje Gjithëpërfshirëse që e keni parë, si hap fillestar drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare ligjërisht të obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të ecim përpara. Përveç kësaj, më 15 dhjetor Parlamenti i Kosovës votoi delegacionin e Kosovës për dialog. Delegacioni do të bashkëkryesohet nga Zëvendëskryeministri Limaj dhe kreu i Partisë Social Demokratike të partisë opozitare Shpend Ahmeti. Është delegacion gjithëpërfshirës me synimin që të përfshihen edhe palë të tjera. Ky është hap madhor në demokracinë tonë dhe i përgëzoj të gjithë deputetët e Kosovës që votuan delegacionin.

Marrëveshja përfundimtare synon të sjellë paqe afatgjatë dhe të sigurojë të ardhme prosperuese europiane për të dy shtetet. Përfshirja e Shteteve të Bashkuara në udhëheqjen e dialogut është kyç, përderisa BE-ja ofron garanci, për të mbushur hendekun e mundshëm midis dy vendeve. Le të jemi të sinqertë, të hapur dhe të drejtpërdrejt në këtë mision.

Të nderuara shtete anëtare,

Jemi shumë mirënjohës për ndihmën tuaj përgjatë dekadave. Ju erdhët për të na ndihmuar në kohë të vështira. Ju na ndihmuat të ndërtojmë atë që kemi sot.

Por tani ka ardhur koha për të ecur përpara me vendosmëri dhe me shpejtësi - si partnerë. Dhe ne duhet të veprojmë tani!

Ju faleminderit për organizimin e Këshillit të Tretë të MSA-së ndërmjet Bashkimit Europian dhe Kosovës. Kosova pret që në javët dhe muajt e ardhshëm të thellojmë dhe forcojmë marrëdhënien tonë kontraktuale.

Faleminderit!

EMISIONET