Cristiano Ronaldo është drejt zyrtarizimit si futbollist i Juventusit, me Realin e Madridit që ka arritur marrëveshjen me kampionët e Italisë.

Zyrtarizmi i largimit të tij nga "Santiago Bernabeu" pritet të ndodhë brenda pak orëve.

Presidenti i madrilenëve, Fiorentino Perez, ka respektuar dëshirën e Ronaldos për tu larguar dhe ka lejuar atë që të nisë një aventurë të re në Seria A.

Marrëveshja thuhet se është arritur për shifrën e 105 milionë eurove, shkruan e përditshmja spanjolle "Marca".

Ndërkohë presidenti i Juventus, Andrea Agnelli ka udhëtuar në Greqi, aty ku Ronaldo po kalon pushimet, në mënyrë që të sigurojë firmën e pesë herë fituesit të "Topit të Artë".

Lajmi është konfirmuar dhe nga vetë klubi madrilen që ka falenderuar portugezin për 9 vitet e kaluar tek ta.

"Sot, Reali i Madridit dëshiron të shprehë mirënjohjen tonë për një lojtar i cili ka dëshmuar se është më i miri në botë dhe i cili ka përcaktuar një nga kohët më të ndritshme në historinë e klubit tonë dhe futbollit botëror. Përtej titujve të vendosur, trofeve të fituara dhe triumfit të arritura në fushë gjatë këtyre nëntë viteve, Cristiano Ronaldo ka qenë një shembull i përkushtimit, punës, përgjegjësisë, talentit dhe përmirësimit. Ai gjithashtu është bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Real Madridit me 451 gola në 438 ndeshje. Gjithsej 16 tituj, duke përfshirë katër Ligat e Kampionëve, tre prej tyre radhazi dhe katër në pesë sezonet e fundit.

"Në bazë individuale, me fanellën e Real Madridit ai ka fituar katër Topin e Artë, dy Më të mirat dhe tre çizme ari, midis shumë çmimeve të tjera. Për Real Madridin Cristiano Ronaldo gjithmonë do të jetë një nga simbolet e tij të mëdha dhe një referencë unike për gjeneratat e ardhshme. Real Madridi do të jetë gjithmonë shtëpia juaj
".-lexohet në deklaratën e klubit "Los Blancos".

Aventurës së Ronaldos tek Real Madrid i ka ardhur fundi.

 
 



/Ora News.tv/