Bashkimi Europian ka nisur punën për riaktivizimin e një statuti të bllokimit, që i ndalon kompanive europiane të zbatojnë sanksionet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit. Masa vjen si përgjigje ndaj kërcënimeve se firmat europiane të cilat bëjnë biznes në Iran, do të jenë subjekt i ndëshkimeve nga Uashingtoni.

 Komisioni Europian ka nisur rinovimin e një legjislacioni që do t’i lejojë kompanive europiane të vijojnë biznesin me Iranin, pavarësisht tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore dhe rivendosjes së sanksioneve ndaj Teheranit. Në një deklaratë, Komisioni konfirmoi se “ka nisur procesin formal të aktivizimit të Statutit të Bllokimit,” duke ju referuar një rregulloreje të Bashkimit Europian të vitit 1996, që u krijua për të shmangur sanksionet amerikane ndaj Kubës, por që nuk u përdor kurrë.

Statuti i bllokimit të BE-së i ndalon çdo kompanie europiane përmbushjen e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe nuk njeh vendime gjyqësore që zbatojnë penalizimet amerikane. Masa do të hyjë në fuqi brenda dy muajve, sipas Komisionit Europian, me përjashtim të rastit nëse Parlamenti dhe qeveritë europiane e kundërshtojnë.

Nga samiti i BE-së në Sofje një ditë më parë, presidenti i Komisionit Jean-Claude Juncker deklaroi se unioni e ka për detyrë të bëjë çmos për të mbrojtur bizneset europiane, sidomos ato të vogla dhe të mesme.

/Ora News.tv/