Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është rruga e vetme për të shmangur rikthimin e luftës në rajon. Ka qenë ky paralajmërimi i presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker për ligjbërësit europianë, të cilët ai i ka nxitur të tregohen të hapur ndaj anëtarësimit të Ballanit në familjen e përbashkët europiane.

Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker ka paralajmëruar mundësinë e rikthimit të një lufte në rast se Ballkanit Perëndimor i shuhen shpresat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në një seancë plenare të Parlamentit Europian, Juncker u shpreh:

Juncker: Nëse nuk hapemi ndaj vendeve në atë rajon aq të ndërlikuar e tragjik dhe nëse nuk hapim një perspektivë europiane për ta, do të shohim një rikthim të luftës në atrë zonë, siç dëshmuam në 1990. Unë nuk dua që lufta të kthehet në Ballkan, ndaj na duhet të jemi të hapur për ta.

Deklarata e Presidentit të Komisionit Europian vjen në prag të samitit të përbashkët mes udhëheqësve të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit në Sofje, ku kryefjalë do të jetë zhvillimi i mëtejshëm i lidhjeve mes palëve. Edhe pse disa shtete të bllokut i kanë bërë rezistencë zgjerimit të familjes europiane, perspektiva e anëtarësimit në BE është kthyer në një motor nxitës të reformave në Ballkan.


/Ora News.tv/