Emisioni "Ju flet Moska" i Kastriot Myftaraj analizoi mbrëmjen e sotme intervistën e kryeministrit Edi Rama për Reuters dhe mesazhet që i adresonte kancelares Merkel dhe Brukselit.

Myftaraj: Kryeministri Edi Rama sot me rastin e vizitës në Berlin dhe takimit me kancelaren Merkel kishte përpunuar një strategji interesante të atij që në shkencat e komumnikimit quhet kanal indirekt.E kam fjalën për një intervistë të Ramës për Reuters ku intervistuesi  i referohej pikërisht mesazhit që Rama do të jepte në Berlin. Ky ishte qëllimi, por edhe në Bruksel nënkuptohet. 

Intervista është shumë interesante, kam shkëputur tre paragrafët e parë. Rama këtu jep një mesazh që nuk guxoi ta jepte me këto fjalë jo e jo në takimin me kancelaren Merkel por as në intervistën që dha sot për DW. 

Thelbi i intervistës së Ramës për Reuters përfshihet në paragrafin e parë ku thotë: “Duke i mohuar Shqipërisë anëtarësimin një ditë në Bashkimin Europian, mund të ushqehet radikalizimi islamik në këtë shtet ballkanik, duke rrezikuar stabilitetin rajonal". 

Është një gjë që Rama e ka përdorur disa herë, edhe kur Shqipëria kishte për të marrë statusin kandidat por edhe kur në 2016 për rekomandimin e hapjes së negociatave, duke thënë na pranoni kështu siç jemi përndryshe do të bëhemi më të këqinj pa dëshirën tonë dhe për të keqen tuaj.

Rama në këtë intervistë polemizoi ashpër dhe qortoi ashpër ata politikanë europianë, ndër ta dhe gjermanë të cilët ai i quajti investitorë në radikalizim. Pra të gjithë këta politikanë të BE, të cilët shprehin frikë, ndjejnë rrezik nga arrja në masë e emigrantëve nga bota islame, apo nga zgjerimi i BE me pjesën me popullësi më të madhe myslimane të Ballkanit, Rama e quajti një investim në radikalizim pasi tha se mund të arrijë efektin e kundërt.

Të arrijë efektin e kundërt do të thotë që të nxisë radikalizimin në Ballkanin Perëndimor dhe Shqipëri dhe kuptohet që çmimin dio ta paguajë BE. Kemi të bëjmë me një ultimatum të fshehur që i drejtohet BE por meqenëse u shpall pikërisht sot, para se Rama të takohej me Merkel, në rradhë të parë i adresohet asaj.

Ideja është: Zonja Merkel, impono ndaj vendit tënd dhe Europës që të pranojë Shqipërinë kështu siç është, fillimisht çeljen e negociatave, përparimin e tyre pastaj dhe tek e fundit anëtarësimin, ndryshe alternativa është diçka shumë më e keqe.

Është një ultimatum klasik. Mendoj se Rama gabon kur mendon se mund ti adresojë ultimatume BE, Merkel, politikanëve të linjave të ndryshme të BE.

Qytetarët e Shqipërisë nuk qëndrojnë pas ultimatumeve të tilla për të cilat duhet pyetur dhe ku e gjen guximin ti bëjë. Sali Berisha para tij jo se nuk donte ti bënte, por nuk gjente guximin, nuk kishte mbështetje ndërkombëtare ti bënte. Është BE që duhet ti adresojë ultimatume klasës politike shqiptare dhe në rradhë të parë kryeministrit si njeriu më i plotfuqishëm në Shqipëri, ti adresojë ultimatume sepse këta janë përgjegjës për gjendjen në të cilën është vendi.

 Çelen ose jo negociatat, fillon apo jo procesi i hapjes së negociatave që ka 34 kapituj që duan shumë vite për tu shqyrtuar, kjo është një gjë që nuk ndikon shumë në atë që Rama e quan procesi i radikalizimit të vendit.Radikalizimi  i vendit mund të ndodhë ose jo nga gjendja reale ekonomike e vendit, shqiptarët radikalizohen ose jo nga gjendja reale ekonomike e vendit. Procesi i negociatave mund të ecë në letër edhe për 10 vjet dhe gjendja ekonomike e shqiptarëve të mos ndryshojë jo për faj të BE por për faj të atyre që qeverisin në Tiranë, kushdo qofshin. Sot është Rama, po i drejtohemi zotit Rama.

Radikalizimi vjen për shkak se këtu qeveria me një grusht oligarkësh ka krijuar polarizim ekonomik në dëm të qytetarëve. Në mos radikalizim ekonomik si thotë Rama, do të vijë radikalizim tjetër. Nuk ka vetëm radikalizim islamik, prorus, ka edhe një radikalizim të modelit perëndimor europian, është radikalizimi francez me gijotinën kur një klasë e tërë sunduese e cila rrëmbeu pasuritë e vendit, i monopolizoi, krijoi polirazim ekonomik, shkoi dhe la kokat në gijotinë. Radikalizimi mund të jetë edhe i papëlqyeshëm për zotin Rama.


/Ora News.tv/