Folklorizmat politike ishin në fokus të analizës së emisionit "Ju flet Moska" i Kastriot Myftaraj.

Myftaraj: Politika edhe në vendet e mëdha dhe të zhvilluara perëndimore ka dhe një pjesë e cila mund të krahasohet me folklorin. Politikanët janë njerëz që jo të gjitha fjalët i thonë zyrtarisht, madje me kalimin e kohës kanë një prirje që shumicën e fjalëve të mos i thonë zyrtarisht. Politikanët bëjnë biseda në kafe, dreka, darka, bëjnë biseda informale dhe thonë batuta që kalojnë gojë më gojë. Madje shpesh emri i politikanëve lidhet më tepër me këto batuta sesa pjesën zyrtare të fjalimeve të tyre. 

Shqipëria nuk bën përjashtim, edhe këtu është kjo pjesë që dikush mund ta quajë folklori i politikës por nuk është ashtu.Emri më i saktë do të ishte ligjerata informale e politikës. Këto ditë kam mësuar një batutë jo zyrtare të një Ministri të qeverisë Rama, është fjala për superministrin Arben Ahmetaj i cili tashmë mund të quhet një lloj Ministri i trefishtë për shkak se ka disa Ministri të bashkuara në një Ministri, ekonominë, financat, tregtinë.Është si të themi mbreti, sundimtari i ekonomisë dhe financave shqiptare. 

Kjo në letër, në realitet para disa kohësh në një bisedë në një qytet në jug të Tiranës ku ishte i pranishëm dhe kryeministri, Ahmetaj në prani të Ramës kur dikush i tha se tashmë ishte në krye të një superministrie ai reagoi duke thënë se e shikonte veten thjesht si një noter të Edi Ramës.Unë jam noteri i Edi Ramës, tha Ahmetaj. Jo rastësisht Rama i pranishëm nuk reagoi, që do të thotë se u kënaq me këtë fjalë. Noter jo zyrtar i kryeministrit do të thotë se Ahmetaj shpreh dhe miraton në postin ku është gjithçka që i thotë Kryeministri. Vetë nuk ka asnjë mendim.


 

/Ora News.tv/