Emisioni "Ju flet Moska" i Kastriot Myftaraj analizoi mbrëmjen e sotme deklaratën e pazakontë administratorit të njësisë administrative Ana e Malit, Arben Ceni, i cili teksa u pyet për përmbytjet tha se Shkodra mund të marrë edhe autonominë.

 Myftaraj: Një zyrtar i rëndësishëm i bashkisë së Shkodrës, administrator i një zone të gjerë i intervistuar nga mediat këto ditë për përmbytjet ka thënë disa gjëra të çuditshme për shpalljen e autonomisë së qarkut të Shkodrës sipas shembullit të Katalonjës në Spanjë. Duket që ky zotëri vështirë se i ka nga mendja e vetë këto fjalë por problemi është se krahasimi i Shkodrës me Katalonjën çalon për një arsye shumë të thjeshtë. Katalonja është një krahinë e Spanjës, e ndryshme nga spanjishtja, praktikisht më e afërt me frengjishten se me spanjishten.Katalonja nuk ka kontribuar në themelimin e kombit spanjoll.

Ndërsa Shkodra me rrethinat e saj, qarku i Shkodrës më tepër mund të krahasohet me Kastiljen, bërthama ku u krijuar kombi spanjoll. Krahina më e rëndësishme për shtetformimin, kulturën spanjolle.Krahasimi i Shkodrës me Kastiljen nuk është i tepërt pasi duhet ditur që Shkodra është kryeqyteti i shtetit ilir me kështjellën e saj të famshme, ndër emrat më të përhapur shqiptarë janë emrat e mbretërve ilirë që e kishin qendrën në Shkodër si, Agroni, Genti, Teuta, Skerdilajdi etj. 

Ka pasur edhe shtete të tjera ilire si enkelejtë rreth liqenit të Ohrit, taulantët në Shqipërinë e Mesme.Por shteti ilir me qendër në Shkodër i ardianëve arriti shtrirjen më të gjerë në gjithë hapësirën shqiptare dhe nëse nuk do të kishte ndërhyrë Roma që u tremb nga fuqizimi i një shteti të tillë në bregun tjetër të Adriatikut ky shtet me siguri do ti kishte bashkuar trojet e sotme shqiptare po e po por edhe Dardaninë e më gjerë. Që nga Tivari dhe deri në Butrint ka arritur të shtrihet ky shtet. Shtrirja e këtij shteti ilir do të vazhdonte por u ndërpre nga ndërhyrja e Romës. Shkodra ka peshë të madhe në historinë e Shqipërisë dhe ende nuk i është dhënë haku tamam rëndësisë që ka Shkodra në formimin e kombit shqiptar, kulturë dhe shtetformim. Në shekullin e VII pas erës sonë, perandori bizantin Herakliu duke dashur të fillonte të bënte luftën me persianët bëri paqe me sllavët që ishin dyndur në Ballkan.

Ky u dha toka, njohjen diplomatike, edhe zona rreth Shkodrës, përfshirë dhe Shkodrën.Kjo nuk pati peshë, popullsitë u ngritën në luftë dhe ato zona mbetën me popullsi iliro-shqiptare. Nga ajo kohë kemi Eposin e Kreshnikëve, luftën me shkijet që i bën jehonë Fishta. Këto nuk janë nacionalizma romantikë sikundër thuhen janë gjëra të shkruara në histori. Janë dokumenta historikë që më pas janë pasqyruar dhe në folklorin e popujve. Ka vazhduar 7 shekuj lufta e popullsisë së asaj zone për tu shkëputur nga sundimi sllav ku e vuri perandori Herakli i cili për fat të keq humbi dhe luftrat në lindje me arabët dhe nuk i doli për mbarë marrëveshja që bëri në dëm të iliro-shqiptarëve. Deri në shekullin e XIV, aq sa zgjati rikonkista spanjolle për çlirimin e Spanjës nga arabët të gadishullit Iberik, aq zgjati dhe lufta e kësaj pjesë të Shqipërisë kur princi i Balshajve, Balsha i Parë, zoti i Shkodrës pasi u çliruar nga sundimi serb krijoi shtetin shqiptar si mbreti Agron dhe mbretëresha Teutë në pjesën më të madhe të hapësirës shqiptare, deri në jug. Kësaj here ndërhynë osmanët dhe Balsha u vra në betejë me ta. Shekullin pasardhës erdhi Skëndërbeu, i cili gjeti një traditë dhe një bazë. 

Familja e Balshajve ishte aleate e tij. Kanë dashur të thonë që Balshajt janë sllavë, por ata nuk figurojnë si princa sllavë në analet serbe. Por të ishin do të figuronin. Balshajt shfaqen në histori pas rënies së perandorisë serbe të Stefan Dushanit dhe ky është tregues. Shkodra pastaj dihet se çfarë ka dhënë për kulturën shqiptare, alfabeti latin që kemi sot nisi në Shkodër, gjithë ata breza shkrimtarësh, poetësh të gjuhës shqipe, klerikësh të mëdhenj katolikë që njëkohësisht punonin dhe për gjuhën shqipe.

Shkodra meriton më shumë të quhet Kastilja e Shqipërisë, kush bën prova të tilla për ta quajtur Katalonja e ka gabim.Këto gjëra nuk duhen marrë lehtë, PD të cilës i përket ky zotëri duhet të reagojë, kryetarja e bashkisë së Shkodrës bën mirë ta shkarkojë nga detyra.Ky është nëpunës i shtetit nuk është analist i lirë që mund të dalë aty të flasë, është betuar në atë Kushtetutë për integritetin territoriale të Shqipërisë. Duhet të reagojë Voltana Ademi dhe Lulzim Basha për këtë njeri.


/Ora News.tv/