Emisioni "Ju flet Moska" i Kastriot Myftaraj kishte sërish në fokus të analizës së tij protestën e studentëve.

Myftaraj: Studentët e Universiteteve publike në Shqipëri që ndodhen në ditën e dytë të protestës janë një lloj special studentësh, një lloj i veçantë në gjithë Europën, ndoshta dhe më gjerë.

I quaj specialë sepse studentët shqiptarë trajtohen në hiarkinë që bën shteti të shpenzimeve për shtresa të ndryshme të shoqërisë që nuk sjellin të ardhura, por mbahen me të ardhurat publike, për ta shpenzohet më pak para se për të burgosurit.

Për një të burgosur shteti shpenzon 539 euro në muaj. Ndërsa nga studentët shqiptarë në Universitetet publike merr para.

Studentët e Universiteteve publike këtu njëlloj si ato private, paguajnë tarifa të tilla që vetëfinancojnë institucionet që i mbajnë ata në një masë të madhe. Në një masë të tillë që mund të quhen më tepër private se publike.

A keni parë diplomatë të huaj, zyrtarë të huaj nga BE, përfaqësues të institucioneve të ndryshme europiane në Shqipëri deri të nivelit të lartë se ku kanë interes më shumë të bëjnë vizita, të shikojnë çfarë ndodh.

Ambasadorja Vlahutin vizitoi burgun e Reçit, i ndërtuar me 14 mln euro nga BE. Nuk ka kampus studentësh, konvikte që të ketë një pamje të tillë, ose dhoma të brendshme të jenë si këto. As në ëndërr nuk i kanë parë studentët tanë.

A keni parë diplomatë të huaj të vizitojnë konviktet e studentëve? As që bëhet fjalë sepse diplomatët e huaj kanë një logjikë në mënyrën si veprojnë.

Nisen duke parë forcat që janë potenciale të mundshme për të destabilizuar vendin. Meqenëse kujdesen për burgjet dhe jo për studentët, logjika të thotë që në mendjen e tyre kanë arritur në përfundimin se të burgosurit janë një grupim që befasisht mund të shndërrohet në një forcë shoqërore destabilizuese për të cilën duhet treguar më tepër kujdes se studentët.

Kjo tregon se çfarë mendimi kanë ata për studentët tanë, vetëdijen shoqërore dhe politike. Kjo duhet ti bëjë të tupërohen studentët tanë sepse ata e dinë se studentët në gjithë botën janë forca lokomotivë e proceseve shoqërore.Studentët kanë bërë revolucionet, i kanë iniciuar ato në shumë vende të botës.

Nëse dhe studentët tanë do të ishin të tillë, ata të huajt do të shkonin më shumë në konvikte sesa në burgje, ose do shkonin në konvikte po aq sa në burgje dhe do të investonin po aq.

Fakti është se nuk ndodh kështu. Ndaj studentët duhet të reflektojnë dhe të kërkojnë se çfarë u mungon atyre. Këto protesta po e tregojnë.Studentëve u mungon së pari vetëdija e forcës që kanë. Janë diku 110-120 mijë studentë, është një forcë e tmerrshme po të mendosh se  kemi 13 herë më shumë se policë.


/Ora News.tv/