Vizita  në Tiranë e Presidentit të Këshillit të Europës, Donald Tusk, ishte në fokus të analizës së emisionit  "Ju flet Moska" i Kastriot Myftaraj.

Myrftaraj: Gjatë vizitës së sotme në Tiranë të presidentit të Këshillit të Europës Donald Tusk dhe këtu dua të sqaroj se nuk bëhet fjalë për Këshillin Europian. Ky i fundit është një organizëm i kryetarëve të shteteve të BE, i bie që presidenti i KiE të jetë Presidenti i një supershteti të BE. Këshilli i Europës është një organizëm jashtë BE, Shqipëria është anëtare prej 1995, janë anëtare dhe shumica e vendeve anëtare të OSBE që nuk janë anëtare të BE. Por janë anëtare dhe vende të BE. Këto organizma nuk duhet të ngatërrohen.

Donald Tusk vizitoi sot Tiranën dhe në këtë vizitë pati një moment ku Edi Rama, kryeministri shqiptar, i bëri një komplimet faraonik duke e krahasuar me një faraon. Nënkuptimi është që Tusk erdhi në Tiranë si dielli pas disa muajsh gri. Megjithëse është e çuditshme të quhet një periudhë prej disa muajsh duke nisur nga data 2 prill e më tutje. Një periudhë pa diell në këtë kohë të vitit nuk është e pazakonshme. Gjithësesi ishte një kompliment i hollë dhe një konotacion faraonik.I jep titullin  e "Mbretit  Diell" Presidentit Donald Tusk. Është një atribut që ka ekzistuar në shoqëritë e vjetra. Në Egjiptin e vjetër faraoni stilizohej si Dielli, se përfaqësonte Perëndinë Diell. Ndërkohë udhëheqësit komunistë e përdornin shpesh ndaj eprorëve të tyre figuracionin e diellit. Nëse lexon veprat e Enver Hoxhës, ai kur shkruan për Stalinin dhe e ka paraqitur atë në disa momente si Dielli jetëdhënës.

Udhëheqësit komunistë eprorëve të tyre ndërkombëtarë ju jepnin atribute të Diellit për servilizëm, të diellit ideologjik, të diellit figurativ. E ka pasur këtë mani një Mbret absolut në Europën mesjetare Luigji i XIV i quajtur Mbreti Diell. Që të përdoret ky figuracion në 2018 nga kryeministri shqiptar duke ju adresuar presidentit të Këshillit të Europës, autoritetit më të lartë kolektiv të BE? Nuk e  di a e beson zoti Rama se ky kompliment zë vend tek zoti Tusk, që është një politikan me mend në kokë, ka qenë kryeministër i Polonisë, është në vitin e katërt të mandatit të tij si President i Këshillit të Europës, ka dhe një vit dhe pastaj do të jetë një qytetar. Ndoshta do rikthehet në politikën e vendit të tij por vështirë me ndryshimet që kanë ndodhur.

Nuk besoj se ky kompliment ka zënë vend tek Tusk. Nuk e di nëse Rama do t'ia bëjë Merkelit në Berlin disa ditë më vonë dhe si do t'ia bëjë. Nuk ja bëri dot në Tiranë se Merkeli erdhi në korrik, nuk i thoshte dot që na solle diellin nga Europa veriore në Mesdhe, dilte si tallje. Problemi është tek mendësia që mbajnë këto komplimente. Mendësia është që: Unë të shikoj ty atje në Bruksel si Dielli, tani ti më jep licencën të sundoj këtu në Shqipëri, duke u sjellë me këta poshtë sikur unë të jem sundimtari Diell. Sundimtarët që kanë dashur të luajnë rolin e Diellit në shoqëritë e tyre në fakt kanë sunduar me anë të injorancës dhe frikës të atyre që ishin poshtë. Ndriçimi në shoqëri mund të vijë ose nga arsyeja ose pretendimet për ti dhënë dritën e diellit një sundimtari. Dhe ky sundimtar pastaj bën ato që bën.Tradita, shoqëria historike në të cilat kërkon ta vërë Edi Rama zotin Tusk nuk është aspak e mirë.Është shumë larg mentalitetit të një lideri vendi i të cilit kërkon të anërtarësohet në Europë. Është një kapitull i pashkruar kjo mendësia e liderit në ato 36 kapitujt që do hapen nëse hapen negociatat, por duket se Rama nuk e paska kuptuar këtë, bën mirë t'ia thotë dikush.


/Ora News.tv/