Emisioni "Ju flet Moska" nga Kastriot Myftaraj në Rtv Ora News trajtoi rastin e falimentimit të kompanisë ajore 'Air Albania'.

Myftaraj: "Historia e Air Albania ishte e trishtuar. Nuk kishte si të shkonte ndryshe kur kryeministri e pagëzoi atë si vepër të një shtrige. Kryeministri jonë njihet për komplimentet e tij të çuditshme për bashkëpunëtorët e tij por kësaj here duket se e ka kapërcyer vetveten. 'Shtrigë' nuk është kompliment në shqip por është sharje. Mund të përdorej fjala 'shtojzovalle' ose 'zanë'. A është i varfër kryeministri në fjalorin e vet apo ka dashur të tallet me ministren e tij mbetet një mister.

Shtrigat kanë një mënyrë fluturimi. Ato fluturojnë vetëm, mbi fshesë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shtrigën tonë, siç e pagëzoi kryeministri, kompaninë ajrore që mund ta quajmë 'Air Shtriga' duke iu referuar apo frymëzuar nga kryeministri. Dhe ti kërkosh shtrigës Belinda, gjithmonë sipas cilësimeve kryeministrore, të bëj të mundur fluturime, ajo mund ta bëjë këtë vetëm me fshesë jo me aeroplanë, përveçse kur është vetë udhëtare e aeroplanëve. Por jo të krijojë vetë një kompani ajrore të suksesshme. Me fshesë do ketë probleme sepse është pak mbipeshë zonja ministre për të qëndruar mbi fshesë.

Kjo aventurë shkoi ashtu siç mori pagëzimin kryeministror, fluturimi i shtrigës. Ky është etiketimi që mund ti vihet kësaj kompanie ajrore që iu paraqit me bujë të madhe shqiptarëve, madje edhe me emra shkrimtarësh të njohur shqiptarë, si emërtues të avionëve. Një histori tani që më tepër i përket mitologjisë së keqe të shqiptarëve, shtriganërisë sesa historive të suksesit. Ndryshe nga shtriganëritë e përrallave, shtriganëritë e kryeministrit dhe ministres së tij kushtojë shumë para, lënë pas gropa të zeza në buxhetin e shtetit.

Një kompani ajrore e tillë është pasuri e publikut dhe nuk mund të luhet kështu me këtë pasuri. Prokuroria bën gabim që e merr lehtë këtë punë sepse koncepti i ndëshkimit të korrupsionit dhe anti ligjit nënkupton që të ndëshkohen jo vetëm fajtorët e drejtpërdrejtë por edhe ata që ju garantojnë atyre paprekshmëri. Paprekshmërinë ua garantojnë prokurorët, oficerët e policisë, e në vazhdim gjykatësit.

Nëse shikojmë CV e kësaj zonje si ministre do vëmë re se pretendon se ka kryer një shkollë për Menaxhim Biznesi në Greqi por nuk tregon datën kur e ka nisur shkollën. Thotë se është diplomuar në vitin 1999. Nga ana tjetër në CV e saj zyrtare thotë se ka titullin e juristes, por nuk tregon se në cilin universitet ka studiuar për juriste dhe në cilat vitet i ka kryer studimet. Këto gjëra ngjallin kuriozitet. Tani që është ministre e rëndësishme e kabineti të Ramës, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, dy sektorë të rëndësishëm publik, të mos japë të dhëna të sakta mbi shkollimin e saj. Me një hetim që duhet ta kishte bërë shteti për ministren e vet mund të zbulohet se të dy diplomat e saj janë të rrejshme."

/Ora News.tv/