"Ju flet Moska" analizon deklaratën e Thaçit: "Kosova të marrë Tropojën, Kukësin, Hasin"

"Ju flet Moska" analizon deklaratën e Thaçit: "Kosova

Emisioni "Ju flet Moska" nga Kastriot Myftaraj analizoi mbrëmjen e sotme një deklaratë të bërë nga kreu i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi, në emisionin "Oxygen Show"të gazetarit Besim Dina në KTV lidhur me korrigjimin e kufijve.

Myftaraj: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një pjesmarrje të tij në emisionin "Oxygen Show"të gazetarit Besim Dina në KTV bëri një deklaratë që duhet të kishte përbërë një lajm  të madh, pasi shpesh ka ndodhur që ndryshimet e mëdha të nisin me një deklaratë ashtu si të rastësishme.

Drejtuesi i emisionit i flet Presidentit për idenë e shkëmbimeve territoriale mes Kosovës dhe Serbisë, Leposaviqi është një komunë në veriun e Kosovës.

Kurse presidenti Thaçi e tërheq vëmendjen në një drejtim të ri, prej Leposaviqit në Has. E tërheq vëmendjen në një ndryshim kufijsh Shqipëri-Kosovë, ku Kosova merr territore të Shqipërisë.

Më tej ndërsa drejtuesi i emisionit vazhdon dhe flet duke iu referuar Maqedonisë, pse jo një ndryshim kufiri mes Kosovës dhe Maqedonisë, presidenti Thaçi e kthen përsëri vëmendjen në Tropojë dhe Kukës. Pra përsëri drejt Shqipërisë.

Thaçi është një politikan me përvojë të madhe, ai e di se fillimisht duhet hedhur ideja, pastaj ideja nis dhe qarkullon, fiton fuqinë e vet lëvizëse dhe përfundon pastaj në rendin e ditës.

Është Presidenti i Kosovës që po flet, nuk po flet një politikan çfarëdo. Është politikan me përvojë, 20 vjet më parë ka marrë pjesë në konferencën e rëndësishme ndërkombëtare të Rambujesë dhe më vonë në negociata, pra e di çfarë flet.Vetë drejtuesi i emisionit i thotë qartë se këto gjëra ky i nis si me anektoda, por janë serioze.

Kur Presidenti Thaçi kërkon që të marrë nga Shqipëria me korrigjime territoriale siç i quan ai, apo me ndryshime kufijsh, tre bashki të veriut apo krejt qarkun e Kukësit.

Këtu ka një llogari të thellë, nuk është thjesht një ide kështu meqenëse kjo zonë ka një afërsi të madhe kulturore me Kosovën, përveçse gjeografike.

Popullësi shqiptare janë në të dy anët e kufirit, por këta ndajnë tradita më të afërta me Kosovën,  pra Tropoja, Hasi dhe Kukësi.

Por këtu ka një llogari dhe më të thellë akoma. Kosova ka mungesa të mëdha uji. Me korrigjimet e kufijve që thotë Thaçi, apo me ndryshimet e kufijve që duket se do të jenë në praktikë,vështirë se mund të mbahet premtimi për kontrollin nga ana e Kosovës të liqenit të Ujmanit që ndodhet në Kosovën veriore të kontrolluar nga serbët.

Liqeni i Ujmanit furnizon nevojat kryesore me ujë për industrinë elektrike të Kosovës, ftohjen e TEC-eve por edhe për qytetin e Prishtinës.Kosova ka mungesa të mëdha në burime ujore, kjo është e njohur.

Qëllimisht në kohën e ish-Jugosllavisë u zhvendos kryeqyteti. Në fillim mendohej të ishte Prizreni ku kishte burime ujore të Drinit të Zi dhe u zhvendos në Prishtinë, burimet ujore të së cilës vareshin nga territore në afërsi të Serbisë, pra Kosova të ishte e varur nga Serbia.

Nëse Kosova merr këto tre bashki në territorin e Shqipërisë, ku bëhet fjalë për 2380 km katrorë, por ku është një pjesë e madhe e pellgut të Drinit dhe krejt liqeni i Fierzës. Është një liqen më i madh se i Ujmanit. Dhe nëse Kosova humb liqenin e Ujmanit, siç duket do ta humbë, liqeni i Fierzës do të mjaftonte për të plotësuar ato nevoja. Po kështu një pjesë e pellgut të Drinit gjendet në Kosovë, me Drinin e Bardhë.

Duke marrë këto tre bashki, Kosova zotëron gjysmën e pellgut të Drinit që ndodhet brenda kufijve të Shqipërisë, Drinit të Bardhë, Drinit të Zi dhe Drinit të bashkuar.

Me këto ndryshime, Shqipëria zbret në 25470 km katrorë, kurse Kosova rritet me 13270 km katrorë plus-minus.

Përveç kësaj, në këtë zonë ka miniera të mëdha kromi, burime të mëdha bakri, boksitesh. Është zonë me pasuri të madhe.

Ata që në Republikën e Shqipërisë me një lloj racizmi brenda shqiptar i quajnë malokë banorët e qarkut të Kukësit, mund të thonë po të na hiqen qafe. Por nuk është kaq e thjeshtë pasi do ti ndjejnë më vonë pasojat e kësaj "heqje qafe", sepse pellgu i Drinit është pellgu kryesor për prodhimin e energjisë në Shqipëri dhe do duket më vonë se çfarë pasojash do të ketë kur pjesa më e madhe e këtij pellgu të zotërohet nga një shtet tjetër.

Ndonëse është Kosova, ajo ka ato nevojat e veta dhe do ti ketë ato parësore. Do të përpiqet ndoshta të ndërtojë një sistem kanalizimesh me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, Bankës Botërore, Bankës Europiane në mënyrë që të arrijë të sigurojë nevojat e Kosovës lindore për ujë.

Presidenti Thaçi hodhi një ide që duhet të diskutohet. Jo se duhet të diskutohet në mënyrë disfatiste, që ai e kërkon dhe ne ja japim, por duhet diskutuar.

EMISIONET