"Papajtueshmëri me modelin e punës", zv/ministri i Arsimit dorëhiqet pas 15 ditësh në detyrë
Vetëm 15 ditë pas emërimit në detyrë, Taulant Muka ka dhënë dorëheqjen nga posti i zëvendësministrit të Arsimit.
Dorëheqja i është dorëzuar kryeministrit Edi Rama për dijeni edhe Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, me motivacionin e papajtueshmërisë me punën.
"Për arsye etike, morale dhe profesionale dhe të papajtueshmërisë që unë kam me modelin e punës të aplikuar në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ju paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i zëvendësministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.", thuhet ndër të tjera në motivacionin e Taulant Mukës.
Taulant Muka u emërua zëvendësministër në datën 31 tetor me një vendim të Këshillit të Ministrave, pas dorëheqjes së Ervin Demo i cili u akuzua për plagjiaturë.
Muka denoncoi plagjiaturën që Demo kishte bërë në një artikull titullin “Universitetet dhe transferimi i teknologjisë”, i botuar në vitin 2011.
Akuzat publike bënë që Demo të jepte dorëheqjen nga posti i zëvendësministrit më 19 tetor të këtij viti.
Ditën e emërimit në detyrë, në një intervistë për Ora News, Muka tha se duhet veting edhe në sistemin arsimor.
Taulant Muka bëri edhe një reagim për pedagogun e ekonomikut, të arrestuar për trafik droge. Ai tha se për këtë rast ngriti një grup pune për të mësuar se si u punësua pedagogu Dritan Shoraj për të cilin u zbulua se ishte marrë me trafikim lëndësh narkotike.

