Denoncimi qytetar në RTV Ora për mos zbatimin e vendimit të gjykatës së lartë për regjistrimin e një prone shkaktoi fortunë në Kadastrën e Vlorës.

Drejtuesit u dorëhoqën ose u shkarkuan në harkun e dy ditëve nga publikimi i rastit, ndërsa 23 punonjës janë marrë nën hetim për mos marrjen në shqyrtim të dosjes me numër 246.

Anti krimi ekonomik ka zbarkuar pranë institucionit ku sipas burimeve mbi bazë të kësaj dosjeje kanë nisur një hetim të gjerë për çështjen e tjetërsimit të pronave në Bregdet.

Ndërkohë që sipas burimeve, puna në kadastrën e Vlorës prej disa kohësh po kalon nën skanerin e inspektorëve të KLSH që kanë nisur kontrollin pas dyshimeve për abuzime.

Aludohet se edhe largimi i drejtorit Alimadhi dhe nëndrejtorit Klodian Troci, ka ardhur për këtë shkak. Ndërsa tensionet lidhur me mos lëshimin e zyrës nga nëndrejtori Troci, lidhen me faktin se ky i fundit ende nuk ka marrë me shkrim largimin e tij nga detyra, por është njoftuar vetëm gojarisht për largimin.

Ata u zëvendësuan nga Alteo Nazëraj dhe Krenar Xhemali që tashmë kanë marrë detyrën.

Ndërsa nëndrejtori Ardian Musta i dorëhequr të mërkurën e argumentoi largimin me arsye personale.

Drejtoria e Kadastrës në Vlorë ka qenë një nga institucionet më problematike ndër vite lidhur me çështjet e pronave në hipotekë.

/Ora News.tv/