Diskutimet e qeverisë me koncesionarin për tarifën e kalimit në Rrugën e Kombit janë drejt fundit ndërsa tarifat që do të aplikohen pritet të prezantohen nga Kryeministri brenda javës tjetër. Mësohet se për banorët e zonës do ketë një tarifë të reduktuar por për kreun e bashkisë Kukës kjo zgjidhje është e papranueshme.I kontaktuar nga Ora News, Bashkim Shehu, shprehet se nuk janë pjesë e negociatave dhe kërkojnë që tarifa për banorët e zonës të jetë patjetër zero.

Qeveria duket se ka arritur një marrëveshje me koncesionarin në lidhje me tarifat që do të aplikohen në Rrugën e Kombit për banorët e zonës.

Edhe pse nuk ka ende shifra konkrete, banorët lokalë janë kategoria që do të përfitojnë ulje të tarifës e cila do të mbulohet më pas nga buxheti i shtetit.

I kontaktuar me telefon, kreu i bashkisë Kukës Bshkim Shehu deklaroi se nuk dinë asgjë në lidhje me negociatat, pasi nuk kanë qenë pjesë dhe nuk u është marrë mendim.

Shehu thekson se kërkesa e bashkisë Kukës është e pandryshueshme, që për banorët e zonës tarifa të jetë zero.

Aktualisht në terminalin e dëmtuar në Rrugën e Kombit vijojnë punimet të cilat pritet të përfundojnë së shpejti.

Tarifa e Rrugës së Kombit u pezullua pas protestës së dhunshme që u zhvillua rreth një muaj më parë ku pothuajse u shkatërrua e gjithë pika e kalimit.

Aktualisht kalimi në Rrugën e Kombit po bëhet pa pagesë, ndërsa është konstatuar një rritje e fluksit duke qenë se është periudhë vere dhe ka shumë pushues që vijnë nga Kosova. 

Tarifat e vendosura për këtë rrugë janë 2.5 euro për motorët, 5 euro për veturat, 11,2 euro për autobusët dhe kamionçinat e deri në 22.5 euro për kamionët e rëndë.

Sipas qeverisë dhe koncesionarit, këto tarifa janë të domosdoshme për të mirëmbajtur këtë segment rrugor.

/Ora News.tv/