Kategoria Superiore ka zhvilluar javën e 35-të të saj, takime që kanë prodhuar rezultate interesante. Me Partizanin që e ka siguruar prej kohësh titullin kampion, fokusi është drejtuar nga Kupat e Europës dhe mbijetesa, ku shumë skuadra po luftojnë për të arritur objektivat.

Në garë për Europën janë plot 4 skuadra, që kërkojnë 2 biletat e fundit për të përfaqësuar Shqipërinë në kompeticionet e rëndësishme Europiane. Kukësi është skuadra më e favorizuar, me verilindorët që mbajnë vendin e dytë me 56 pikë. Në takimin e fundit presin Kastriotin, që është në garë me Tiranën për të qëndruar në elitë të paktën edhe në sezonin e ardhshëm.

Flamurtari, skuadra e privilegjuar në këtë javë, pasi mori 3 pikët në tavolinë ndaj Kamzës, qëndron në vendin e tretë me 54 pikë. Në takimin e fundit, vlonjatët "luftojnë" me Tiranën, skuadrën tjetër që diskuton mbijetesën. Pas tyre qëndron Teuta, me kuotë të njëjtë pikësh me kuqezinjtë. Kundërshtari i fundit për këtë sezon është Laçi, i cili tashmë i ka "larë" duart me objektivat.

Skënderbeu i vendit të 5-të e ka mbyllur tashmë kampionatin, pasi në takimin e fundit do të marrë 3 pikët ndaj Kamzës së pezulluar tashmë. Aktualisht, korçarët numërojnë 52 pikë, por duke i shtuar edhe pikët ndaj kryeqytetasve shkojnë në kuotën e 55 pikëve. Po të mos ishte për Flamurtarin e Teutën, Skënderbeu do të kualifikohej në Kupat e Europës.

Ndërkohë, zona e mbijetesës diskutohet mes Tiranës dhe Kastriotit, me kryeqytetasit që numërojnë 2 pikë më shumë se krutanët. Jashtë objektivave ka dalur edhe Luftëtari, që takimin e fundit ndaj kampionëve të sapo shpallur ndaj Partizanit e luan pa presion.

Java e 36-të, e cila korespondon edhe me javën e fundit të Kategorisë Superiore do të luhet e gjitha të enjten e 30 majit.

/Ora News.tv/