Modifikimi i gjeneve në embrionet njerëzore tashmë po pranohet si mënyra më e mirë për shmangien e një sërë sëmundjesh. Pas Kinës dhe Japonia ka nisur përgatitjet e rregullave se kur do të aplikohet kjo ndërhyrje.

Japonia do të jetë vendi i dytë që do të lejojë  modifikimin e gjeneve në embrionet njerëzore.

Kërkesa për miratimin e akteve ligjore është bërë javën e kaluar nga një panel ekspertësh të ministrive të shëndetësisë dhe shkencës në vend.

Japonia deri më tani ka ndjekur rregulla të qarta për përdorimin e embrioneve njerëzore për qëllime hulumtimi, por nuk ka pasur më parë udhëzime specifike për teknikat e modifikimit të ADN-së.

Ndryshimi i informacionit të koduar gjenetik që në embrion mendohet se do të zbulojë të panjohurat e zhvillimit të hershëm të njeriut.

Studiuesit shpresojnë që teknikat e reja do të përdoren për të ndrequr mutacionet gjenetike që shkaktojnë sëmundje, përpara se ato të trashëgohen.

Një veprim i tillë ka ngjallur shumë polemika nga këndvështrimi etik, ndërsa më parë ka qenë Kina e cila ka miratuar zbatimin e kësaj procedure.

Shumë vende e ndalojnë praktikën e modifikimit të gjeneve dhe lejojnë vetëm ndryshimin e tyre në qelizat jo-riprodhuese të të rriturve.

Propozimet e Japonisë do të jenë të hapura për komente publike nga muaji i ardhshëm dhe ka gjasa të zbatohen në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

/Ora News.tv/