Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike dhe analisti, Dushan Janjiq, ka vlerësuar se komunikimi i drejtpërdrejtë midis Prishtinës dhe Beogradit ka pushuar në masë të madhe dhe se gjërat po lëvizin në drejtim gjithnjë e më të keq, gjë e cila, sipas tij, bashkësinë ndërkombëtare e ballafaqon me dilemën nëse duhet të vazhdojnë të punojnë ashtu siç ka bërë deri më tani, ose të kërkojnë mënyra të tjera për të zgjidhur problemin.

“Kjo është një fazë delikate, në të cilën ndodhet bashkësia ndërkombëtare, para së gjithash Uashingtoni, e cila po tregon shenja të gatishmërisë për të vënë mënjanë lojën e fuqive të vogla lokale. Kjo të gjithë i bën nervoz, sidomos ata që janë të përgatitur për një “lojë të gjatë politike”, dhe që kanë besuar se ajo është e mundur”, tha Janjiq, për agjencinë “Beta”, duke komentuar bllokimin në bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës, pwrcjell Telegrafi.

Janjiq beson se shtetet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia) shihet qartë se nuk janë për një lojë të gjatë politike, se ato  kanë një opinion të ndryshëm dhe se po i afrohen qëndrimit se problemi i Kosovës duhet të zgjidhet pavarësisht nëse Serbia dhe Kosova duan të shkojnë drejt Bashkimit Evropian, ose jo.

“Këto vende kanë mbajtur kohët e fundit në një takim dhe nuk ka asnjë letër të veçantë, por ka një seri të dokumenteve, duke përfshirë mendimet e instituteve me ndikim dhe organizatave të tjera”, shtoi ai.

“Ka zhurmë në mediat serbe dhe keqpërdorim i nervozizmit nga ana e autoriteteve në Kosovë. Ne kemi raporte të rregullta për incidente, se si pala serbe është viktimë. Kemi mospërfilljen e e politikanëve shqiptarë, të cilët nuk e kanë kuptuar se Statuti i Asociacionit të Komunave Serbe (AKS) për Serbinë është parakusht për dialog”, thotë Janjiq.

Ai shtoi se nëse miratimi i Statutit të Asociacionit pamundësohet nga cilado palë, nuk ka asgjë nga Marrëveshja e Brukselit.

“Atëherë mbetet që përsëri të provohet me kontakte të drejtpërdrejta të dy palëve, ose të organizohet një konferencë ndërkombëtare, por është i mundur izolimi politik dhe izolime të tjera ndaj njërit prej protagonistëve, ose dy akterëve”, shtoi ai.

Janjiq pret që BE Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, së shpejti të organizojë një takim në Bruksel me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, ku do të duhej të sqarohet se si do të veprohet më tutje. /Telegrafi/

/Ora News.tv/