Në kuadër të tetorit gjerman artistja Katerina Horn, në bashkëpunim me aktoren shqiptare Ema Andrea, sjellin shfaqjen e titulluar “Jam burrë”. Një shkrirje mes kërcimit dhe teatrit për të dhënë mesazhin se emancipimi i shoqërisë vjen përmes grave.

Në shoqërinë shqiptare diskrimini gjinor është ende një fenomen i përhapur gjerësisht. “Jam burrë” është një shfaqje artistike që synon të japë mesazhin se emancipimi i shoqërive në vendet e Ballkanit vjen vetëm përmes emancipimit të grave.

Artistja gjermane Katerina Horn, në bashkëpunim me aktoren e mirënjohur shqiptare Ema Andrea dhe artistë të tjerë nga vendet e rajonit, kompozojnë një kombinim fluid mes kërcimit dhe teatrit.

 “Jam burrë” është një udhëtim artistik mes klisheve në realitetin e burrave. Dhuna dhe diskriminimi ndaj grave është një fenomen që prevalon mbi vlerat e perëndimit ku duam të shkojmë.

Në një shoqëri ende maskiliste, Horn ngre një debat provokues i cili motivon publikun të diskutojë mbi rolet gjinore dhe rënëdsinë e gruas në shoqërinë shqiptare.

/Ora News.tv/