Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kundërshton idenë për shtetëzimin e pikave të bastit. Sipas Nikolin Jakës kjo është iniciativë private dhe shteti të zbatojë ligjin si për çdo ndërmarrje tjetër private. Kreu i Dhomës së Tregtisë mbështet idenë që lojërat e fatit të zhvendosen nga zonat e banuara drejt periferive.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë e vlerëson të padrejtë idenë për shtetëzimin e pikave të basteve.

Kreu i këtij institucioni deklaron se sipërmarrja private duhet të funksionojë në bazë të iniciativës së lirë dhe nuk duhet të monopolizohet.

Nikolin Jaka: Nuk mendoj se jam për një centralizim apo kalim shërbimi në duart e shtetit. Për aq kohë sa është një sipërmarrje private duhet të jetë një sipërmarrje që të ushtrohet në zbatim të gjithë rregullave  dhe procedurave që njohin ligjet më të mira të vendeve të zhvilluara.Dhe nuk mendoj se duhet të mohojmë të drejtën e e iniciativës së lirë në këtë sektor për asnjë arsye.

Për Jakën një zgjidhje që do të kënaqte edhe kundërshtarët e vendimit të qeverisë do të ishte zhvendosja e lojërave të fatit në periferi.

Nikolin Jaka: Është shumë e rëndësishme që të hiqen dhe pastrohen poshtë pallateve sepse realisht janë mbushur të gjithë lagjet me pika bastesh, lojërave fati, lojëra elektronike që janë kthyer në një shqetësim real për qytetarët shqiptarë.

Sipas amendimit të miratuar në ligj në Komisionin e Ekonomisë edhe pse pikat e basteve do të mbyllen në 31 dhjetor, shteti do të marrë të drejtën për t’i organizuar, zhvilluar dhe ndërmjetësuar.



/Ora News.tv/