Tre persona janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur pas një sulmi nga forcat ajrore izraelite kundër objektivave iraniane në Siri. Sulmet izraelite shkatërruan një stacion radari, një depo të armëve si dhe kanë dëmtuar njësi të mbrojtjes ajrore, raporton agjencia siriane e lajmeve "Sana".

Sistemet e mbrojtjes ajrore siriane kapën shumicën e raketave të nisura nga Izraeli në agim, sipas komandës së ushtrisë siriane të cituar nga agjencia. Veprimi i drejtpërdrejtë i Izraelit tregon "një fazë të re të agresionit kundër Sirisë", raportoi agjencia, duke cituar një burim në Ministrinë e Jashtme të Sirisë.

Që nga e hëna, forcat izraelite nisën një breshëri raketash në territorin sirian, duke thënë se sulmet kanë për synim objektivat iraniane në vend. Tel-Aviv fajëson forcat "Quds" të Gardës Revolucionare të Iranit për sulmet ndaj pozicioneve të tyre në lartësitë Golan dhe në përgjigje ka kryer sulmin masiv gjatë natës.

Rreth 28 aeroplanë izraelitë gjuajtën rreth 60 raketa tokë-ajër në sulmet masive brenda natës, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes. Sistemet siriane të mbrojtjes ajrore arritën të kapnin më shumë se gjysmën e raketave

Një total prej 70 predhash goditën objektivat ushtarake iraniane dhe sistemet e mbrojtjes ajrore siriane pranë Damaskut dhe në jug të vendit të enjten në mëngjes, tha ushtria në një deklaratë.

/Ora News.tv/