Izmir, Xhaçka takon misionin e NATO-s në Egje: Ofroni siguri për vendin dhe qytetarët

Izmir, Xhaçka takon misionin e NATO-s në Egje: Ofroni siguri

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka premtuar trajtim më të mirë financiar për  efektivët e kontingjentit të 7-të të Forcës Detare, pjesë e operacionit të NATO-s në detin Egje. Gjatë një takimi që zhvilloi më ta në Izmir, Xhaçka vlerësoi sakrificat dhe kontributin e tyre.

Olta Xhaçka: "Sa i takon trajtimit, jemi të ndërgjegjshëm që ka ende shumë për të përmirësuar. Trajtimi nuk është i krahasueshëm me aleatët e tjerë dhe ndoshta nuk është as ai, që ne do të donim të ishte.

Dua t’ju siguroj që jemi maksimalisht të angazhuar edhe unë si ministre, por edhe ne si qeveri, që të sjellim një standard të ri në trajtimin tuaj jo vetëm njerëzor por edhe financiar. 

Dhe sigurisht një standard të ri në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura për përparimin në karrierë, duke e bërë atë gjithnjë e më meritokratike."

Që prej vitit 2016, 7 kontingjente dhe dy anije (Oriku dhe Butrinti) janë përfshirë në misionet e NATO-s në Egje. Roli i anijes “Butrinti” në këtë operacion, është monitorimi, vëzhgimi dhe ndërprerja e  kalimeve të paligjshme të emigrantëve në detin Egje, në bashkëpunim me autoritetet detare të Greqisë, Turqisë dhe misionit të BE “Frontex”.

Gjatë vizitës Ministrja e Mbrojtjes u takua edhe me zëvendëskomandantin e Forcës Tokësore të NATO-s gjenerallejtënant Paolo Ruggiero, si edhe me zëvendës shefin e Shtabit për Operacionet në Komandën Detare të NATO-s, nënadmiral Jens Nemeyer, dhe komandantin e Grupit Detar të Përhershëm të NATO-s Nr.2, kundëradmiral Mike Utley.

EMISIONET