Sikur të mos mjaftonte përçarja e gjatë në aspektin ekonomik, Italia tashmë mbetet e ndarë edhe në aspektin politik pas zgjedhjeve të 4 marsit, ku Lëvizja 5-Yjet triumfoi në jugun e prapambetur dhe e djathta dominoi në veriun e pasur. 

Kushdo që do të marrë në dorë qeverisjen e vendit pas votës jobindëse, nuk do të mund të injorojë hendekun e madh dhe do të përballet me kërkesa të ndryshme nga dy gjysmat e copëzuara të kombit, me pak fonde në dispozicion për të rregulluar situatën.

Ekspertët e cilësojnë ndarjen mes veriut të industrializuar dhe jugut të privuar si më të madhen ndonjëherë dhe parashikojnë se kjo situatë do të ketë pasoja të thella si për Italinë, ashtu edhe për Europën në vitet në vijim, pasi pabarazia mund të çojë në një krizë gjeopolitike në vend. Niveli i papunësisë prej 18% në jug bën kontrast të thellë me 6.6% në veri. Me rreth 4.7 milionë italianë të cilët jetojnë në varfëri të plotë, Lëvizja 5 Yjet ka premtuar të përcaktojë një minimum jetik mujor deri në 780 euro për të varfërit – një hap i rëndësishëm në një vend ku nuk ofrohet mirëqenia themelore për të papunët.

Ndërkohë, koalicioni i djathtë premton një taksë të sheshtë prej 23%, një ide tërheqëse për veriun produktiv por që në jug ka pak interes, pasi rroga minimale vjetore në atë pjesë të vendit në 2016 arrinte në 16.000 euro, një pagesë e cila kategorizohet në fashën e taksës 23%. Jugorët mund ta konsiderojnë dhuratë bujare një taksë të tillë për bashkëqytetarët e tyre të pasur, por në veri, paga universale do të shihej si bamirësi e pajustifikuar për jugun, që njihet për jetesën e shthurur dhe kriminalitetin e shfrenuar.

/Ora News.tv/