Italia, 10 ditë kohë deri në krijimin e qeverisë së re

Italia, 10 ditë kohë deri në krijimin e qeverisë së re

Pas zgjedhjes së kryetarëve të dy dhomave të parlamentit, debati politik në Itali është përqëndruar në formimin e qeverisë së re.

Kujt force politike do t'i ngarkohet detyra për krijimin e qeverisë? Lëvizjes 5Yje? Koalicioni të së djathtës? Një qeveri mes 5Yjeve e Lidhjes o do jetë një qeveri koalicioni?

Matteo Salvini, lideri i Partisë "Lidhja" është shprehur sot se "kryeministri i ardhshëm i Italisë duhet të dalë nga radhët e koalicionit të djathtë, formacioni politik që ka marrë më shumë vota e që gjatë zgjedhjes së kryetarëve të Parlamentit shfaqi koherencë, inteligjencë e respekt për zgjedhësit".

Ndërsa zëvëndësi i tij Giancarlo Giorgetti shkon dhe më tej duke deklaruar se posti i kryeministrit i takon Matteo Salvinit si lideri i një force politike që ka marrë më shumë vota brenda një koalicion fitues të zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, lideri i Lëvizjes 5 Yje, Luigi Di Maio shprehet më i matur në deklaratat e tij: "Forca jonë politike është e hapur për të bashkëpunuar me të gjitha partitë e tjera", është shprehur ai.

"Dialogu e përballja politike duhet të përqëndrohen tek prioriteti i qytetarëve e jo tek partitë. Konsensusi i arritur dje me zgjedhjen e kryetarëve të Parlamentit nuk ka të bëjë me formimin e qeverisë së re. Lëvizja 5 Yje dëshmoi se është një forcë e besueshme dhe serioze qe dialogon me të gjithë dhe në mënyrë kompakte për të mirën e vendit", tha ai.

Analistët e politikës italiane e shohin pozitivisht marrëveshjen e arritur dje mes 5 Yjeve dhe partisë Lidhja për ndarjen e drejtimit të dy dhomave të Parlamentit dhe si një nga zgjidhjet më të mundshme për aleancën e ardhshme qeverisëse.

Ndërkohë zyra e Presidentit të Republikës Sergio Mattarella ka informuar se i ka dhënë 10 ditë kohë forcave politike deri në nisjen e konsultimeve për krijimin e qeverisë së re parashikuar më datë 3 prill.

Java e ardhshme është e mbushur me impenjime të rëndësishme në parlamentin e ri ku priten të zgjidhen krerët e grupeve politike, të cilët së bashku me liderët e partive do të jenë pjesë e konsultimeve me kreun e shtetit për formimin e ekzekutivit të ri.

EMISIONET