Ish-basketbollisti amerikan Dennis Rodman ka shpërthyer në lot nga takimi mes liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un dhe presidenti Amerikan Donald Trump.

Ai është shfaqur gjatë transmetimit live për t’i dhënë përkrahje takimit të liderit të SHBA-ve, Donald Trump, dhe atij të Koresë së Veriut, Kim Jong-Un.

Rodman tha se ky samit për shumëkënd ka qenë i pamundur po të flitej disa muaj më parë, për faktin se raportet mes SHBA-ve dhe Koresë së Veriut ishin në kulm të tensionit.

“U kam thënë të gjithëve, se do të hapet dera. Por të gjithë më thoshin se një gjë e tillë është e pamundur. Kur u ktheva në shtëpi, filluan të më kërcënojnë me vdekje… por për asnjë moment nuk e kam ulur kokën, e dija që gjërat do të ndryshojnë.  E dija, kam qenë i vetmi. Askënd nuk e kam pasur afër vetes të më dëgjoj apo të më shoh. Sot është një ditë e mirë për të gjithë, Singaporin, Tokion, Kinën, të gjithë.. një ditë shumë e mirë”, ka deklaruar Rodman.

/Ora News.tv/