Ish-studentët kërkojnë rihapjen e shkollës ushtarake "Skëndërbej"

Ish-studentët kërkojnë rihapjen e shkollës ushtarake

Në 73 vjetorin e themelimit të Shkollës Ushtarake "Skënderbej", Presidenti Ilir Meta nuk përjashton mundësinë e rihapjes së saj. Ideja mbështetet edhe nga ish- studentët, ose siç njihen ndryshe ish-begasit, shumë prej të cilëve sot janë emëruar në poste të rëndësishme.

"Po te jetë për mua, sot e hap prapë" deklaroi Meta.

Në kohën kur studentët e Shkollës Ushtarake "Skënderbej" ose siç njihen ndryshe ish-Begasit janë rikthyer duke u emëruar në poste të rëndësishme publike, nuk përjashtohet as mundësia e rihapjes së kësaj shkolle që ka edukuar me breza të tërë ushtarakësh. 

Në 73-vjetorin e themelimit, Presidenti Ilir Meta vlerësoi kontributin e saj duke e cilësuar shtyllë te atdhedashurisë dhe patriotizmit.

Meta: Edhe sot ish-‘Skëderbegasit’ janë aktivë. Ata drejtojnë Forcat e Armatosura, institucionet e Sigurisë Kombëtare. Janë aktivë në të gjitha fushat, sikurse edhe ata të cilët janë në rezervë janë gjithmonë duke dhënë kontributin e tyre kudo në bazë të asaj edukate dhe atij formimi atdhetar dhe patriotik që kanë marrë në atë shkollë.

Kontributet e kësaj shkolle janë të jashtëzakonshme. Personalitetet që ajo ka nxjerrë janë personalitete që kanë merituar respektin dhe kanë lënë gjurmë në të gjitha fushat, jo vetëm në fushën e mbrojtjes, në atë të sigurisë, në fushën e rendit publik, por edhe në mjekësi, ekonomi, sport. Edhe në fushën e politikës Shkolla “Skënderbej” ka nxjerrë mjaft personalitete, dhe në çdo drejtim. 

 Kollçaku: Ju sigurojmë që mësimet që na keni dhënë do të na shoqërojnë gjatë gjithë jetës.

Edhe ish-Begasit, të cilët veçojnë edukimin dhe dispilinën e fortë të shkollës së mesme ushtarake, ngrenë zërin për rihapjen e saj.

"Mbyllja e asaj shkolle ishte një gabim i madh sepse shkolla ushtarake "Skëndërbej" nuk ishte shkollë jeniçerësh siç e përcaktuan në atë kohë ata që e mbyllën por ishte një shkollë që edukonte brezin e ri me atdhedashuri".

"Ajo është shumë e domosdoshme që të rihapet, nuk them të hapet në atë madhësi që ka qenë por është e domosdoshme".

"Ekzistenca e saj edhe mund të ishte shumë me vlerë po të rihapej sepse i kontribuon ushtrisë".

Shkolla ushtarake “Skënderbej” u themelua më 28 mars të vitit 1945 dhe në të kanë studiuar afro 33 mijë të rinj ku shumë prej tyre kanë arritur të drejtojnë strukturat të larta ushtarake dhe të marrin gradën Gjeneral. 

Shkolla e cila u mbyll në vitin 1992, ka qenë vatra kryesore e përgatitjes së oficerëve për ushtrinë shqiptare.

EMISIONET