Ish-presidenti egjiptian Mohamed Morsi vdes gjatë seancës gjyqësore

Ish-presidenti egjiptian Mohamed Morsi vdes gjatë seancës

Televizioni shtetëror i Egjiptit tha se ish-Presidenti Mohamed Morsi është rrëzuar gjatë një seance gjyqësore dhe ka vdekur.

Televizioni shtetëror tha se presidenti egjiptian 67-vjeçar, i cili u detyrua të largohej nga pushteti, po merrte pjesë në një seancë gjyqësore ndaj tij, lidhur me akuzat për spiunazh kur ai u rrëzua. Televizioni Shtetëror tha se Morsi vdiq, para se të mund të dërgohej në spital.

Mohamed Morsi, një figurë kryesore e Partisë Vëllazëria Myslimane, u detyrua të largohej nga posti i presidentit në vitin 2013, nga ushtria e Egjiptit, pas protestave masive kundër sundimit të tij.

Vëllazëria Myslimane më vonë u nxor jashtë ligjit dhe Morsi u arrestua. Ish presidenti egjiptian ishte duke vuajtur një dënim shtatëvjeçar për falsifikimin e aplikimit të kandidaturës për garën presidenciale të vitit 2012 dhe përballej me akuza të reja për spiunazh.

Organizata Human Rights Watch i ka përshkruar akuzat kundër Morsi si politike. Drejtorja ekzekutive e grupit në Lindjen e Mesme, Sarah Leah Whitson, shkroi të hënën se burgimi i Morsi ishte "mizor dhe çnjerëzor" dhe tha se ai ishte "i privuar nga vizitat familjare dhe kujdesi mjekësor".

Mohamad Morsi u zgjodh president në vitin 2012 në zgjedhjet e para të lira në Egjipt, pas përmbysjes së një viti më parë të udhëheqësit Hosni Mubarak.

EMISIONET