Ish-ministres së Brendshme maqedonase i ndalohet dalja nga Shkupi

Ish-ministres së Brendshme maqedonase i ndalohet dalja nga Shkupi

Prokurimi i Mercedesit luksoz për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, Gordana Jankulloskës i kushtoi gjashtë vite burg. Gjykatësja Dobrila Kacarska lexoi aktgjykimin për ish-ministren e Brendshme për rastin “Tank” ku ish-ndihmësministri i Brendshëm, Gjoko Popovski dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski tashmë janë dënuar.

Jankullovska nuk e dëgjoi vendimin personalisht, për shkak se ishte në tjetër gjykim, për përgjimin e paligjshëm dhjetëvjeçar.

"Është e pakontestueshme se ai që tashmë ka marrë vendim për kryerjen e veprës penale nuk mund të jetë i nxitur, mirëpo në rastin konkret nuk bëhet fjalë për atë se tashmë i dënuari Gjoko Popovski para se të jetë i nxitur nga e akuzuara Gordana Jankullovska ka marrë vendim për kryerjen e veprës penale. Kjo për arsye se tashmë i dënuari Nikolla Gruevski i tregon të akuzuarës Gordana Jankullovska se çfarë automjeti duhet të blihet për të. E akuzuara Jankullovska tek pastaj e nxitë tashmë të dënuarin Popovski që të kryejë veprën penale që do të thotë se ekziston nxitje e paramenduar "– u shpreh Dobrilla Kacarska, gjykatëse

Prokuroria Speciale për shkak të frikës nga arratisja dhe mundësinë që Jankullovska të fshihet, kërkoi masa të përforcuar të kujdesit, por jo edhe paraburgim.

"Duke marrë parasysh rrethanat momentale familjare e të akuzuarës Jankullovska, të cilat janë të njohura mirë për të gjithë ne dhe duke marrë parasysh se ka një bebe që me asgjë nuk është fajtore për këtë situatë të krijuar që është imponuar nga prindi, në vend të masës paraburgim, ju propozoj gjykatë e nderuar që të shqiptoni masë plotësuese të kujdesit, e kjo është ndalesë për braktisjen e vendbanimit – theksoi Fatime Fetai, PSP

Gjykata e pranoi këtë propozim të PSP-së dhe Jankullovska nuk guxon ta braktisë Shkupin deri në aktgjykimin e plotfuqishëm. Megjithatë, avokatët në sqarimin pse nuk ka nevojë për masa shtesë për Jankullovskën, e komentuan vendimin gjyqësor. Thanë se e kanë pritur një epilog të këtillë.

"Në fakt ky këshill gjyqësor ishte edhe në procesin e mëparshëm…Kacarska; Kolege… Aleksiq: Unë vetëm përmend pretendime gjykatëse, pasi mendoj se nuk do ikë askund. Kacarska; Para së gjithash kur ju ndërpreva dhe kur ju thashë kolege duhet të ndaloni me dhënien e mendimeve dhe të dëgjoni çfarë ka për të thënë gjyqi. Nuk mund të jepni mendimet tuaja rreth vendimit. Këtë mund ta bëni në ankesë me shkrim" – tha Sanja Aleksiq, avokate

Jankullovska në dalje nga gjykimi për rastin “Fortesa- Target” refuzoi ta komentojë lartësinë e dënimit me burg.

Zonja Jankulloska, a do ta komentonit aktvendimin? Nuk e komentova në fjalën përmbyllëse, kjo është e tëra, nuk kam diçka tjetër. Si e komentoni dënimin prej gjashtë viteve, a do ta ankimoni? Do të komentoj në ankesë – u shpreh Gordana Jankulloska- ish ministre e brendshme

Jankulloska do të ankimojë vendimin në Gjykatën e Apelit. Për furnizimin e Mercedesit të blinduar luksoz me vendime të plotfuqishme tashmë janë dënuar ish ndihmësi i MPB-së, Gjoko Popovski në 4 vjet e gjysmë si dhe ish kryeministri, Nikolla Gruevski. Popovski tashmë është në burg ndërsa Gruevski është duke pritur akt-udhëzim nga Gjykata Themelore Shkupi 1, lidhur me atë se në cilin burg do të vuajë dënimin. Megjithatë, ish kryeministri ka mundësi ankimimi pranë Gjykatës Supreme. /Alsat-m/

EMISIONET