Dy vëllezërit reperë nga Kosova, Mozzik dhe Getinjo kanë qenë prej vitesh pjesë e labelit On Records, ku kanë sjellë hite të ndryshme për popullin shqiptar.

Ata njoftuan me disa postime në Instagram se janë larguar, duke treguar edhe disa arsye për ndjekësit.

“Njerëz të dashur, deshtëm me ju informu që unë Getinjo dhe vëllau im Mozzik nuk jemi më pjesë e On Records. Këngët tona janë fshirë nga kompania në fjalë, i falemnderojmë për punën e përbashkët gjatë këtyre viteve. Vlera jonë nuk do të shuhet asnjëherë, do të shihemi së shpejti me këngë të reja. Ju duam! 2Brothaz,” – shkruajti Getinjo.

Më pas, Mozzik, krijues i hiteve të shumta si ‘Xhelozia’, ‘Dhezu’, ‘Kokaina’, ‘Kuks’ dhe shumë të tjera ka thënë disa fjalë për ish-menaxherët, të njohur si Zzap dhe Chris.

“Zotërinj, kam dashur suksesin dhe respektin më shumë. Pse ndryshuat kur unë fillova të fitoj famën ajo më takon mua, menduat që do iki ngaqë bëra famë dhe pak lek.. jo jo! Edhe gjumi filloi të bëhej pjesë në aeroplan… Nuk ju dëgjova? Gabova ndonjë gjë? Ju keni investuar në mua sepse jeni ata që duhej ta bëni këtë, por unë nuk kam njohur shifra qindra e mijëra euro në karrierën time deri sot nga ju. E kundërta di që kam dhe keni fituar qindra, mijëra euro nga artikulli juaj Mozzik,” – tha ai.

Ndërkohë, bashkëpunimet e Getinjos me anëtarë të tjerë të labelit nuk janë fshirë nga kanali Youtube, ndërsa nga Mozzik nuk rezulton asgjë. Dihet se edhe këngëtarja Baby G u largua para pak kohësh nga ky label, ndërsa tani vijon karrierën e saj ku së fundmi solli këngën ‘Mos u nal.’

Mbetet për tu parë nëse vëllezërit do vazhdojnë të jenë në industrinë e muzikës për tu bërë pjesë e ndonjë kompanie tjetër.

/Ora News.tv/