Bardh Spahia del nga "arresti shtëpiak"

Bardh Spahia del nga "arresti shtëpiak"

Ish-deputeti demokrat Bardh Spahija fiton lirinë në Apelin e Shkodrës, i cili rrëzoi “arrestin shtëpiak” të dhënë nga shkalla e parë, duke lënë vetëm detyrim paraqitje për të.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Marina Rraboshta, e cilësoi të paligjshëm ndalimin e tij. Ai ishte vetë prezent në procesin gjyqësor, që u shty pasi paradreke drejtoria e policisë Tiranë nuk e kishte sjellë Spahinë, me arsyetimin se nuk kishte marrë njoftim.

Në seancë foli vetëm pala mbrojtëse që përfaqësohej nga dy avokatët, Ivi Kaso dhe Ledio Nuraj. Ata e quajtën të paligjshëm ndalimin e klientit të tyre dhe kundërshtuan masën e sigurisë të dhënë nga gjykata e shkallës së parë, që për to, ajo sëbashku me organin e akuzës nuk kanë arritur të arsyetojnë as arrestin shtëpiak.

Duke parashtruar një sërë provash, deri edhe ato filmike, avokatët mbrojtës rrëzuan 3 akuzat e prokurorisë: Kundërshtimin e punonjësve të policisë, mosbindjen dhe shkatërrimin e pronës me zjarr. Edhe vetë organi i akuzës i përfaqësuar nga Brahim Ndregjoshi qartazi u duk së bëri hapa pas, duke pranuar zbutjen e masës së sigurisë, kjo bazuar edhe në personalitetin e Spahisë.

Ivi Kaso: Gjykata na dha të drejtë për qëndrimin tonë që e shprehëm që në momentin kur aplikuam masën e sigurisë, lidhur me paligjshmërinë e ndalimit me iniciativë nga policia në kushtet kur ky ndalim është bërë në më shumë se 24 orë pas fakteve që pretendoheshin si vepër penale. Është bërë pa urdhrin e prokurorit dhe kjo është shkelje flagrante e ligjit. Shkelje që e konstatoi edhe Gjykata e Apelit. Nëse çështja nuk do të kishte qenë politike, do të kishte qenë shumë normale që shtetasi Bardh Spahia të ndiqej në gjendje të lirë, pa u aplikuar si masë sigurie. Por duke konsideruar edhe qëndrimin që organi i akuzës e pati që në seancën e parë të vendosjes së masës së sigurisë, që kur ishte referuar nga policia gjyqësore për 5 veprat penale, si dhe fakti që ka regjistruar një procedim për 3 vepra penale, për të cilat nuk ka asnjë provë që ky shtetas i ka kryer. Gjykata e pa të arsyeshme që të krijonte një balancë midis kërkesës së Prokurorisë dhe qëndrimit të shtetasit Bardh Spahia.U provua edhe një herë që ndalimi i tij është bërë thjeshtë dhe vetëm për motive politike dhe për asgjë që lidhet me kryerjen, apo pretendimin që është konsumuar një vepër penale konkrete. Aq më pak ato që u kërkuan nga organi i Prokurorisë. Ndalimi i bërë nga policia politike është bërë drejtpërdrejtë me urdhër politik për të penguar ish-deputetin Bardh Spahia, i cili ka qenë në krye të detyrës së tij, si i zgjedhur dhe mandatuar nga populli për të protestuar paqësisht ndaj policisë politike që po zaptonte ambientet që ishin në pronësi të Bashkisë së Shkodrës. 

Lidhur me këto shkelje PD do t'i drejtohet policisë së shtetit dhe Ministrisë së Brendshme për dëmin që kanë shkaktuar këto arrestime të paligjshme, duke kërkuar dëmshpërblim.

Spahia u arrestua pas sulmeve që disa militantë të opozitës kryen ndaj shkollës “Shejnaze Juka” e cila shërbente si KZAZ për materialet zgjedhore të 30 qershorit. Vendimi u prit me entuziazëm nga mbështetës të opozitës, që pritën Spahinë në mjediset e jashtme të gjykatës së Apelit Shkoder.


EMISIONET