Ish-presidenti i Nissan, Carlos Ghosn, ka mbrojtur pafajësinë e tij në daljen e parë para gjykatës që prej arrestimit të tij të bujshëm  në Japoni vitin e kaluar.

"Perandori" i industrisë së makinave  ndodhet në paraburgim që prej nëntorit të 2018 dhe përballet me akuzën për mashtrim financiar.

Në një deklaratë të përgatitur, Z. Ghosn tha se ishte "akuzuar gabimisht dhe u ndalua padrejtësisht".

Avokatët e tij kërkuan gjatë seancës gjyqësore që të trajtoheshin arsyet për mbajtjen e tij të gjatë në paragurgim.

Prokurorët japonezë e kanë akuzuar z. Ghosn për ‘sjellje të pahijshme financiare’, mosraportimin e plotë të pagës së tij dhe përdorimin personal të aseteve të kompanisë.

Ghosn, një figurë e lartë në industrinë e makinave, u paraqit në gjykatën e qarkut të Tokios i veshur me një kostum të errët.

"Jam akuzuar gabimisht dhe ndaluar padrejtësisht në bazë të akuzave të pabaza," deklaroi ai.

Arrestimi i tij gati dy muaj më parë tronditi industrinë dhe mbajtja gjatë në paraburgim ka tërhequr disa kritika.

Por një gjykatës në Gjykatën e Qarkut të Tokios të martën tha se ndalimi i zotit Ghosn ishte i justifikuar pasi ai paraqiste rrezik largimi dhe dëmtim të provave,  sipas raporteve.

/Ora News.tv/