Irani: SHBA është përgjegjëse për “mizoritë” në Jemen

Irani: SHBA është përgjegjëse për

Irani i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se janë përgjegjëse për “mizoritë” në Jemen, nëpërmjet mbështetjes amerikane për Arabinë Saudite, që po e udhëheq një koalicion, i cili lufton kundër krengritësve huthi në Jemen, që mbështeten nga Irani.

Zëdhënësi i Ministrisë së jashtme të Iranit, Bahram Ghassemi, tha se deklarata e Shtëpisë së Bardhë më 24 nëntor, në mbështetje të Riadit, “qartazi dhe pa dyshim dëshmon për pjesëmarrjen amerikane dhe përgjegjësinë”, në atë që Teherani i ka përshkruar si “mizori të kryera nga Arabia Saudite në Jemen”.

Në deklaratën e Uashingtonit theksohej se është i “përkushtuar për mbështetje të Arabisë Saudite...kundër agresionit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranitdhe kundër shkeljes së dukshme të ligjit ndërkombëtar”.

Në fillim të muajit nëntor, Riadi e ka akuzuar Teheranin për “agresion direkt”, pasi forcat saudite e ndalën një raketë të hedhur nga kryengritësit huthi në drejtim të aeroportit ndërkombëtar në Riad.

Irani sundohet nga klerikët konservatorë shiitë, derisa rivali i tij kryesor në rajon, Arabia Saudite, është mbretëri me shumicë myslimane sunite.

Të dy këto shtete të Gjirit i mbështesin palët kundërshtare në konfliktet në Jemen dhe Siri.

Teherani dhe Riadi i kanë ndërprerë raportet diplomatike në janar të vitit 2016, pasi protestuesit iranianë i shkatërruan misionet diplomatike saudite në Iran, si përgjigje ndaj ekzekutimit në Riad të një kleriku të njohur shiit./REL

EMISIONET