Irani ka gënjyer mbi paktin bërthamor, e thotë Mike Pompeo

Irani ka gënjyer mbi paktin bërthamor, e thotë Mike Pompeo

“Marrëveshja bërthamore e arritur me Iranin është ndërtuar mbi gënjeshtra.” Ka qenë kjo deklarata e Sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo, pasi Izraeli pohoi se kishte prova të një programi sekret të armëve bërthamore të Iranit. Për Pompeon, kjo tregon se akordi i 2015 mes Teheranit dhe 6 fuqive botërore është i bazuar në mashtrim dhe jo në vullnetin e mirë për të arritur një marrëveshje.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi të hënën Iranin se ka zhvilluar një program bërthamor sekret, të quajtur “Projekti Amad”. Netanyahu prezantoi ato që ai i quajti prova të mijëra “dosjeve sekrete bërthamore” të cilat dëshmojnë se Irani ka gënjyer për ambicien bërthamore përpara se të nënshkruhej marrëveshja e 2015. 

Kryeministri izraelit sidoqoftë nuk siguroi prova se Irani e ka shkelur këtë akord që prej hyrjes në fuqi në fillimvitin 2016, por këmbënguli se “Projekti Amad” ka vazhduar të zhvillohet në Ministrinë iraniane të Mbrojtjes. Teherani zyrtar gjithnjë ka mohuar vijimësinë e programit.

Akuza e Netanyahu-t dhe përforcimi nga Pompeo vijnë në prag të vendimit të presidentit Donald Trump për braktisjen ose jo të kësaj marrëveshjeje, të cilën ai e ka kritikuar prej kohësh. Por fuqitë e tjera perëndimore argumentojnë se Irani e ka respektuar marrëveshjen dhe për këtë arsye, akordi nuk duhet braktisur.

EMISIONET