Investimet në shkolla, Veliaj: Të çojmë shërbimet aty ku janë njerëzit

Investimet në shkolla, Veliaj: Të çojmë shërbimet aty

Bashkia e Tiranës do të investojë në të gjitha fshatart e Tiranës, me synimin ofrimin e  shërbimeve aty ku janë njerëzit. Premtimin e dha kryebashkiaku Veliaj gjatë inspektimit të përfundimit të punimeve në shkollën 9 vjeçare ‘Sharrë’ në zonën e Kombinat.

Fëmijët e zonës së Sharrës në zonën e Kombinatit do të zhvillojnë mësim në ambiente të ngrohta dhe të rikonstruktuara nga Bashkia e Tiranës. Gjatë inspektimit të kryer në këto mjedise, kryetari i Bashkisë, Veliaj tha se synimi është ofrimi i shërbimeve aty ku janë njerëzit, ndërsa premtoi investime në të 130 fshatrat e Tiranës.

Veliaj: “Situata sot në Sharrë nuk është perfekte, por është si dita me natën me ç’ka qenë. Jo vetëm Sharra, por të 130 fshatrat e Tiranës kanë nevojë për ndërhyrje, ama krahasuar me katër vite ku nuk ndodhte asgjë, të paktën sot mund të themi se landfilli, varrezat dhe shkolla u bënë. Nga tre punë çdo vit, e kështu me radhë, mund të mbyllen të gjitha problemet. Gjithë filozofia si e qeverisë, si e bashkisë, ka qenë t’i çojmë shërbimet aty ku janë njerëzit”

Shkolla e rikonstruktuar ka të integruar edhe mjediset për ciklin parashkollor, që shërben si një ndihmesë për prindërit që punojnë të cilët nuk kanë ku të lënë fëmijët.

Veliaj: “Ajo që më lumturoi pafund, edhe si prind i ri, është fakti se këtu është edhe parashkollori, edhe kopshti, për ata fëmijë që nesër do të vazhdojnë klasën e parë dhe të dytën. Jam i bindur për shumë nëna që duan të punojnë është një bekim shumë i madh që të kenë një vend të sigurt si ky ambient, ku të lënë fëmijët e tyre, t’ia besojnë shtetit dhe bashkisë, për të vazhduar më pas punët e tyre”

Në shkollën 9-vjeçare “Sharrë” është ndërhyrë në ambientet e brendshme dhe është bërë rehabilitimi i gjithë oborrit të saj, duke krijuar një mjedis argëtues dhe çlodhës.

EMISIONET