Edhe pse ka përfunduar që në qershor të vitit 2016 interkonjeksioni Shqipëri- Kosovë ende nuk është vënë në funksion. Aktualisht zgjidhjen e çështjes e ka marrë përsipër gjermania ndërsa e pyetur nga Ora News Ambasada Gjermane në Shqipëri bën apel për bisedime mes pjesëmarrësve. Sipas ambasadës mos vënia në punë e kësaj linje vonon eventualisht zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike në Evropën Juglindore

Linja e interkonjeksionit Shqipëri -Kosovë ka përfunduar që në qershor të 2016 por ende nuk është vënë në punë.Kjo situatë ka ardhur si rezultat i problemeve teknike dhe politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila nuk po zgjidhet as me ndërhyrjen e institucioneve europiane apo rregullatorë të tjerë të energjisë. 

Aktualisht zgjidhjen e kësaj çështjeje e ka marë përsipër Gjermania duke qenë një nga financuesit kryesor të këtij projekti nëpërmjet bankës KFW. E pyetur nga Ora News  në lidhje me këtë çështje Ambasada Gjermane në Shqipëri thekson se linja e transmetimit 400-kv mes Kosovës dhe Shqipërisë deri më tani nuk është vënë në funksion, pasi Kosova dhe Serbia i interpretojnë në mënyra të ndryshme marrëveshjet e lidhura në sektorin e energjisë në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve mbështetur nga BE.

Ndërsa të vetmen zgjidhje sheh bisedimet mes pjesëmarrësve. Gjithashtu ambasada sqaron se zbatimi i munguar i marrëveshjes së energjisë mes Kosovës dhe Serbisë vonon zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike në Evropën Juglindore dhe integrimin rajonal të tregut të energjisë. Linja e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri - Kosovë ka një gjatësi totale 241.1 km, nga të cilat 151.1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km shtrihen në territorin e Kosovës. Linja e transmetimit Shqipëri- Kosovë, një projekt që u ka kushtuar financave të dy shteteve rreth 70 milionë euro.

/Ora News.tv/