Edin Dzeko nuk do të jetë futbollisti i vetëm i Romës që do të transferohet te Interi gjatë kësaj merkatoje verore.

Sipas asaj që shkruan gazeta italiane "Gazzetta dello Sport", zikaltërit kanë hedhur vështrimin edhe nga mbrojtësi i majtë i verdhekuqve, Aleksandar Kolarov. Serbi mund të largohet nga kryeqyteti italian që këtë fraksion merkatoje, pasi i ka mbetur vetëm një vit në kontratën e tij.

Kolarov shihet si lojtari ideal për skemën e teknikut të ri, Antonio Conte, i cili mund ta vendos mrekullisht në anën e majtë të mesfushës. Italiani pritet të aplikojë një skemë 3-5-2 te Interi dhe Kolarov shikohet si ai i duhuri. Gjatë këtij sezoni, 33 vjeçari ka shënuar 8 gola në 33 ndeshje të Seria A dhe është një rrezik konstant për futbollistët kundërshtarë.

/Ora News.tv/