Procesi i integrimit evropian, jo vetëm proçes politik por mbi të gjitha proçes teknik.

Të gjithë flasim pafund për proçesin e integrimit europian, 5 prioritetet, reformat kyçe të shoqëruara me debate të forta mes palëve. Flasim për aspiratën europiane, perspektivën e qartë që shpesh e kanë si objektiv dhe prioritet kryesor të gjitha partitë duke e përdorur shpesh si trofe partiak, por rrallë herë flasim realisht se çfarë është proçesi i integrimit.

Askush nuk flet për proçesin në terma të kapitalit njerëzor, të nevojës për të pasur ekspertë dhe profesionistë që do dinë t’i bëjnë ballë sfidave të cilat do të kemi në vijimësi.

Administrata publike fatkeqësisht është trajtuar si tepsi dhe jo si aseti më i madh me të cilën duhet ndërtuar një shtet.

Administrata jonë publike ka mangësi të thella në memorien institucionale, në vazhdimësinë e politikave dhe projekteve. Për të mos folur për rritjen dhe vlerësimin e kapaciteteve me meritokaraci, term ky që nuk ekziston as në mentalitetin dhe as në kulturën e atyre që drejtojnë.

Si mund të sigurojmë ne një proçes negociatash të suksesshëm kur baza e kësaj strukture, grupet ndër institucionale të punës që janë dhe truri i këtij proçesi, ndërrohen sa herë ndryshojnë qeveritë?

Si mund të sigurojmë ne një proçes negociatash të suksesshëm kur struktura negociuse ende nuk ka në krah emrat përgjegjës, të cilët tashmë do duhej të ishin trajnuar dhe do duhej të flisnin qartë gjuhën e Brukselit?

Si mund të kryejmë një proçes kaq kompleks kur koordinimi i informacionit është mangësia më e madhe e këtij shteti, ku të gjithë mendojnë se bëjnë gjithçka dhe në fund askush nuk bën asgjë!

Shqipëria do të ketë nevojë emergjente për mijëra ekspertë të të gjitha fushave, akademikë, konsulentë, shoqëri civile, sindikata, përfaqësues biznesi etj, etj. A ka sot një mekanizëm evidentues dhe përzgjedhës për këta ekspertë që do duhet t’i bashkëngjiten grupeve negocuese? A ka menduar qeveria për një fond të posaçëm për këta ekspertë?

Mbi çdo gjë tjetër proçesi i integrimit ka në krye marrëdhënien me qytetarin. Informacioni dhe dija për çdo hap të proçesit është domosdoshmëri, është kusht për një proçes të suksesshëm dhe të pakontestueshëm. Studentët, biznesi, fermerët, dhe çdo qytetar ka të drejtën të informohet mbi kostot dhe përfitimet që do të sjellë proçesi i integrimit. Këshilli Kombëtar i Integrimit duhet ta marrë këtë

rol pa humbur kohë, sepse konkurrenca me të cilën do duhet të ndeshemi është më e madhe se kapaciteti ynë për ta përballuar atë, si në terma të tregut rajonal dhe evropian ashtu edhe në terma të pershtatjes së mentalitetit dhe pranimit të ndryshimeve të mëdha për një vend të vogël si Shqipëria.

Dhe për ta mbyllur, kam dëgjuar shpesh të thuhet se nuk ka mbetur më asgjë për të negocuar me Bashkimim Europian. Më vjen keq që drejtuesit tanë kanë një mëndësi të tillë. Ne kemi interesa kombëtare për të cilat ia vlen të luftosh dhe t’i mbrosh. Kemi vlera dhe parime për të cilat jemi krenarë, panvarësisht modestisë që imponohet shpesh nga të qënurit një vendi i vogël. Ndaj para se të propagandojmë shitjen e proçesit të negociatave, është mirë t’i vihemi punës se me kë dhe si do të negociojmë! Proçesi i Integrimit europian nuk është vetëm proçes politik por mbi të gjitha është proçes teknik!

/Ora News.tv/