Reforma në drejtësi dhe vettingu kanë qenë pikat kryesore të takimit të 12-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri. Për kryetaren e delegacionit të PE, Monica Macovei, e rëndësishme për Shqipërinë është pastrimi i drejtësisë dhe për këtë nuk duhet vetëm miratimi por zbatimi. E pyetur nga deputetë të opozitës për hetimin ndaj ish-Ministrit Tahiri, shefja e delegacionit të BE tha se procesi po monitorohet nga afër.

Pa zbatimin e procesit të vettingut dhe një dialogu kostruktiv të politikës, Shqipërisë nuk do t`i hapen dyert e Bashkimit Europian.

Kryetarja e delegacionit të Parlamentit Europian, Monica Macovei dhe shefja e delegacionit të BE ne Shqipëri Romana Vlahutin  apeluan gjatë takimit të 12 të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri për  dialog dhe ritëm të qëndrueshëm të reformave.

Monica Macovei: Nuk është mirë që partitë në parlament të luftojnë gjatë gjithë kohës. Ne duam pozitivitet dhe konstruktivitet. Ne mirëpresim praninë e të dyja palëve dhe shpresojmë që nesër të konkludojmë me rekomandime dhe nëse kjo nuk ndodh nuk humbet Parlamenti Europian por populli shqiptar.

Romana Vlahutin: Dera e BE është e hapur dhe rruga është pa pengesa. Progresi varen nga përpjekja e vendeve kandidate. Shqipëria duhet të ketë një ritëm të qëndrueshëm të reformave. Integrimi kërkon dialog konstruktiv, është përgjegjësi e qeverisë që opozita të luajë rolin e saj por nga ana tjetër dhe përgjegjësi e opozitës të kontribuojë në integrimin e vendit në BE.

Largimin nga sistemi të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Mcovei e komenton si frikë të tyre nga drejtësia.

Monica Macovei: Zbatimi i vettingut është element kyç, ka shumë vende që kanë miratuar ligje të mira por nuk i zbatojnë ato. E rëndësishme është që të jepni dëshmi për zbatimin e  ligjeve. Ne duam që ata që kanë bërë shkelje të mbajnë përgjegjësi por për momentin çështja më e rëndësishme është të pastrojmë drejtësinë.

Deputetët e opozitës  ngritën si shqetësim çështjen Tahiri, për të cilin Vlautin garatoi se është duke u monitoruar nga BE.

Albana Vokshi: Ndërsa prokuroria për krime të rënda kërkoi heqjen e imunitetit për ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, kryeminstri Rama, Ministri Xhafaj, kryetari i komisionit të Ligjeve Manja, të gjithë në PS sulmuan prokurorët duke deklaruar përveç të tjerash se ata duhet të pushohen nga puna. Prokurorët reaguan se janë kërcënuar personalisht por edhe me procesin e vettingut. Delegacioni i BE mbeti i heshtur. A mendoni ju që nëse do të ishte folur hapur për këtë çështje në favor të luftës kundër krimit, korrupsionit, pandëshkueshmërisë, delegacioni i BE do të kishte rifituar disi edhe kredibilitetin e humbur për shkak të një heshtje të gjatë edhe për një çështje tejet të rëndësishme dhe kritike për Shqipërinë siç është ajo e narkotikëve.

Romana Vlahutin: Keni bërë pyetje në lidhje me heqjen e imunitetit, nëse vendimi i parlamentit për heqjen e mandatit për arrestimin e ish-Ministrit të Brendshëm. Heqja e imunitetit është një përgjegjësi sovrane e Parlamentit të Shqipërisë. Dhe ajo çfarë ne presim është që institucionet gjyqësore të funksionojnë mirë. Ne presim me padurim që çështja nga ana e prokurorisë të përfundojë dhe çështja çohet në gjykatë. Ne po monitorojmë shumë afër gjithë procesin dhe presim me padurim rezultatet. Rezultatet të bëhen publike sa më shpejt.

Por Shqipëria për Ministrin e Europës dhe Punëve të Jashtme është afruar me BE falë reformave të ndërmara.

Ditmir Bushati: Ne presim që raporti i Komisionit Evropian, krahas evidentimit të progresit dhe reformave që duhen ndërmarrë të projektojë qartësisht fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Një vlerësim i tillë do të krijonte atmosferën e nevojshme dhe besimin mes Vendeve Anëtare për vendimmarrjen dhe afatizimin e këtij procesi.

Çështja e  kultivimit të kanabasit për opozitën mbetet një problem ndërsa për përfaqësuesin e BE Shqipëria ka bërë progres në këtë drejtim referuar edhe raporteve të Guardia di Financës.

Punimet e Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri do të përmbyllen ditën e marë me rekomandimet përkatëse.

/Ora News.tv/