Krimet në rritje, në tre muaj më shumë vrasje dhe grabitje me dhunë

Krimet në rritje, në tre muaj më shumë vrasje dhe grabitje

Kriminaliteti në vend ka njohur rritje në tre muajt e parë të këtij viti duke na ofruar më pak siguri për jetën. Sipas raportit të publikuar nga INSTAT, nga janari deri në mars janë evidentuar mbi 7 mijë e 900 vepra penale ose 5.5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, ndërkohë që sipas raportit veprat penale që janë rritur janë vrasjet me dashje si dhe vjedhjet.

Raporti evidenton se janë regjistruar 12 vrasje në tremujorin e parë të 2018-ës ose 4 më shumë se një vit më parë.

Disa tregues të kriminalitetit kanë pësuar rënie. INSTAT citon në raport se në tremujorin e parë është ulur numri i vrasjeve të mbetura në tentative, 8 më pak se në vitin 2017. 

Rënie kanë njohur edhe veprat penale të rënda kundër pasurisë siç janë vjedhjet me dhunë e bizneseve dhe banesave. 

Vetëm në muajin e fundit dy tentativa grabitje në Fier kanë përfunduar me viktima, njëri prej të cilëve një qytetar që ndërhyri kundër grabitjes së një pike këmbimi valutor dhe në rastin e dytë mbeti viktimë një nga autorët e grabitjes. 

Ndërsa të mërkurën e kësaj jave, pronari një minimarketi mbeti viktimë ndërsa bashkeshortja e tij u plagos rëndë po kështë gjatë një tentative për grabitjen e xhiros ditore. 

Në raport evidentohet një ulje e krimit seksual ndrërkohë që INSTAT ka verejtur se ka një rritje të numrit të autorëve të evidentuar për vepra të ndryshme penale. 

 Nga janari deri ne mars janë evidentuar më shumë se 7 mijë e 400 autorë të veprave penale, duke shënuar një rritje me 5,9 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

EMISIONET