Shpërthimi në Letoni: Trupi i nentetares mbërrin nesër në atdhe, majori në gjendje të rëndë

Shpërthimi në Letoni: Trupi i nentetares mbërrin nesër

Gjendja shëndetësore e majorit të kontingjentit shqiptar në Letoni, Klodian Tanushi, që mbeti i plagosur nga shpërthimi i minës vijon që të jetë e rëndë. 

Ministria e Mbrojtjes thekson se Tanushi është nën kujdes mjekësor maksimal në spitalin e Rigës, ndërsa rreshter Kapaj ndodhet në gjendje të mirë, jashtë rrezikut për jetën. Ministrja Olta Xhaçka u takua edhe me kontingjentin shqiptar në Letoni, ndërsa iu ka shprehur hidhërimin për kolegët që u prekën nga shpërthimi.

“Dhimbja është e përbashkët dhe unë jam sot këtu me ju për të ndarë bashkë hidhërimin, por edhe për te gjetur forcën. Familjet e 3 efektivëve, ju dhe familjet tuaja, do të keni mbështetjen time personale, por edhe të secilit prej 8 mijë efektivëve të familjes sonë të madhe ushtarake, për të kapërcyer këtë moment të vështirë. Ju nuk do të jeni kurrë vetëm dhe asnjëherë s’do të jenë vetëm familjet e çdo burri dhe gruaje në uniformë”

Ndërkohë trupi i efektives që humbi jetën paraditen e të hënës, 6 maj 2019 pritet të mbërrijë në Atdhe ditën e enjte.  

Trupi i efektives Hasanaj do të shoqërohet nga një efektiv kanadez, një letonez dhe kolegë të saj shqiptarë, pjesë e kontingjentit ku bënte pjesë, pasi do transportohet me avion ushtarak. Trupi i të ndjerës do të pritet në aeroportin "Nënë Tereza", me protokoll ushtarak e me pas do te dërgohet pranë familjes se saj, ndërsa ceremonia shtetërore e lamtumirës do të zhvillohet gjatë paradites së të premtes.

Nga ana tjetër me kërkesë të deputetes Rudina Hajdari, Kuvendi ka mbajtur një minutë heshtje për nëntetaren shiptare, e cila humbi jetën në Rigë të Letonisë, si pasojë e shpërthimit të minës. Kuvendi nderoi nëntetaren e cila humbi jetën tre ditë më parë, në kampin Adazi në Letoni, pjesë e misionit të NATO-s.

EMISIONET