Presidenti i Republikës ilir Meta i dorëzoi këtë të mërkurë, Dekretin për shtetësinë shqiptare Arqipeshkvit Metropolit të Tiranë-Durrësit dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot George Frendo. Vendimi për dhënien e shtetësisë është dhënë gjatë meshës së mbajtur në katedralen e Shen Palit në Tiranë, me rastin e 25-vjetorit të vizitës së Papa Gjon Palit II në Shqipëri

Meta: Duke vlerësuar kontributin dhe veprimtarinë e tij të spikatur prej më shumë se 20 vitesh në ringjalljen e besimit dhe forcimin e harmosisë fetare dhe duke e falenderuar përzemërsisht për gjithçka ka bërë për komunitetin katolik por jo vetëm, tanimë edhe si Arqipeshkv i Dioqezës së Tiranës dhe kryetar i Konferencës  Ipeshkvnore të  Shqipërisë kam nderin dhe privilegjin si President i Republikës ti akordoj  Imzot George Frendos dhënien e shtetësisë shqiptare.

Kreu i Shtetit ka vlerësuar kontributin mbi 20 vjeçar të Imzot Frendos në ringjalljen e besimit dhe forcimin e harmonisë fetare.

Meta: Imzot George Frendo u shërbeu dhe kontriboi me shpirt për të ndihmuar të varfrit dhe familjet në nevojë jo vetëm shpirtërisht por edhe duke u ndërtuar atyre shtëpi dhe banesa. Imzot Frendo është gjithashtu një nga frymëzuesit, arkitektët e shumtë të ruajtjes dhe forcimit të trashëgimisë së shkëlqyer shqiptare, të bashkëjetesës dhe harmonisë së besimeve. Falë nismave dhe veprës së tij u është ofruar punë dhe shërbime qindra njerëzve në nevojë si dhe janë krijuar vepra serioze të strukturës sociale duke e shndërruar kishën katolike në një faktor multidinamik shpirtëror dhe faktor progresi

Ndërsa vizitën e Papa Gjon Palit të II në Shqipëri, 25 vite më parë, Presidenti Meta e quajti një datë historike dhe ngjarje të paharruar jo vetëm për besimtarët katolikë, por për mbarë kombin shqiptar.

Meta: 25 vite më parë, Papa Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë për të bekuar një popull martir. Papa Gjon Pali II frymëzoi e i dha shpresë e besim popullit tone.


Ne meshën e shenjtë, është përkujtuar edhe shugurimi i katër ipeshkvijve të parë shqiptarë të Kishës Katolike: Imzot Frano Ilia, Imzot Rrok Mirdita, Imzot Robert Ashta dhe Imzot Zef Simoni.

Imzot George Frendo u emërua arqipeshkv i Dioqezës së Tiranës dhe Durrësit me 17 nëntor 2016 pas ndarjes nga  jeta e Imzot Rrok Mirditës.

/Ora News.tv/