Meta: Nuk ka vetëm të dielë, por edhe të hënë. Rama not në jug

Meta: Nuk ka vetëm të dielë, por edhe të hënë.

Shqipëria ka hyrë në heshtje zgjedhore një ditë përpara votimeve të 30 qershorit. Përgjatë 24 orëve përpara se qytetarët të shprehin vullnetin e tyre ndalohet mbajtja e deklaratave me mesazhe politike ndërsa partitë ndërpresin aktivitetet elektorale. Megjithatë presidenti i Republikës, Ilir Meta nëpërmjet faqes zyrtare në Facebook ka përcjellë të shtunën një mesazh duke u bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojë larg tensioneve.

"Kënaqësi t'ju uroj nga lagjja ku banoj një fundjavë sa më të qetë për të gjithë ju, dhe sa më pranë familjeve tuaja e njerëzve të dashur të zemrës,"-shkruan Meta në postimin ku ka publikuar një foto të me një qytetar të zonës ku banon kreu i shtetit.

Meta apelon për një qëndrim sa më larg zhurmës, tensioneve dhe streseve.

"Të mos harrojmë se nuk ka vetëm të dielë, por edhe të hënë. Dhe përsëri kafen e mëngjesit do e pimë me njëri-tjetrin, me fqinjët tanë dhe miqtë tanë, pavarësisht nga idetë e ndryshme politike,"-thekson kreu i shtetit. 

Nga ana tjetër kryeministri Rama në faqen e tij zyrtare ka publikuar një video ku shfaqet duke notuar në det në jug të vendit. Rama, i cili natë më parë mbylli fushatën në Vlorë, nuk ka bërë asnjë koment në këtë publikim, përveçse kur përshëndet me dorë gjatë një momenti pushimi gjatë notit në det. 

I pari kryeministër që ka praktikuar notin në det gjatë sezonit veror ka qenë ish kreu i PD, Sali Berisha.

 

EMISIONET