Skandal kombëtar e ka cilësuar kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, financimin e portaleve dhe gazetarëve në Shqipëri nga shteti grek. Idrizi i ka kërkuar Presidentit të Republikës që të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

 Kjo thirrje bëhet një ditë pasi mediat greke shkruajtën se ministria e Jashtme greke kishte financuar mediat shqiptare dhe maqedonase me fond sekret.

Shpetim Idrizi: Sot jemi në një emergjencë kombëtare e akuza të rënda për tradhëti kombëtare. Në këto kushte i kërkojmë presidentit të mbledhë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare të vërë në lëvizje të gjithë agjencitë ligjzbatuese për të hetuar e vënë prapa dyerve të qelisë ata që kanë marra para, sepse vetëm në një muaj janë dhënë mbi 1 milionë euro, por në shumë vite sa është kjo shumë. 

Gjithashtu kreu i çamëve i bëri thirrje edhe Prokurorisë që të mos heshtë, por të hetojë ku dhe si kanë shkuar fiancimet greke në vendin tonë.

Shpetim Idrizi: "I kërkojmë urgjentisht prokurorisë së përgjithshme të hetojë portalet, gazetat , televizionet, biznesmenët, OJQ-të që janë financuar nga fondet e zeza sekrete, të ministrisë së Jashtme greke, të ministrisë së Mbrojtjes  dhe të shërbimeve sekrete greke. Ku janë investuar? Me  çfarë çmimesh? Cilët janë qëndrimet e mbajtura nga këto media? Cilët persona janë të implikuar personalisht në këtë operacion?

Mësohet Prokuroria e Athinës ka urdhëruar fillimin e hetimeve pas publikimit se fonde sekrete të ministrisë së Jashtme janë përdorur për të financuar media në Shqipëri dhe Maqedoni.

Idrizi deklaroi se roli i Greqisë përmes financimit të portaleve dhe gazetarëve në Shqipëri ka pasur për qëllim për të ndikuar në çështjen Çame dhe në  marrëveshjen e Detit.


Reagon Bushati
Akuzave të Idrizit i është përgjigjur ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. 

Kush bërtet i dëshpëruar për t’u faktorizuar në hartën e nacionalizmit ballkanik, s’ka lidhje me çështjen kombëtare e as me vendosmërinë e qeverisë së Edi Ramës, që përfshiu në bisedime me fqinjin jugor të gjitha çështjet që i kishte mbuluar pluhuri i harresës. Nacionalizëm për tepsi”, u shpreh Bushati. 



/Ora News.tv/