Icardi e Brozovic "likujdojnë" Lazion, Inter i vihet pas Juves

Icardi e Brozovic "likujdojnë" Lazion, Inter i vihet pas Juves

Inter nuk njeh rival në Seria A. Zikaltërit kanë regjistruar fitoren e 7-të në 10 javë kampionat, duke konfirmuar momentin pozitiv. "Preja" e radhës së të besuarve të Luciano Spalletti ishte Lazio, të cilën e mposhti me shifrat e thella 3-0. Në "Olimpicon" e pushtuar nga shiu, dominimi i miqve ishte i dukshëm.

Mauro Icardi hapi serinë e golave, pas një kombinimi fantastik me Vecino në zonën e vogël dhe i vetëm përballë Strakoshës e kishte të lehtë të tundte rrjetën. Goli i argjentinasit tronditi jo pak skuadrën romane, të cilët humbën busullën. Një fakt i cili u shfrytëzua në maksimumin nga Inter, që gjenë dhe golin e dytë me anë të Brozovic.

Kroati lëshoi një predhë nga jashtë zone, duke detyruar gardianin kuqezi të heq topin nga rrjeta për herë të dytë. Për t'i vendosur "vulën" dhe shifrat në 3-0 mendoi ai që zhbllokoi takimin, Mauro Icardi. Bomberi konkretizoi në një gol një kundërsulm fantastik, duke mposhtur për herë të tretë Strakoshën. Në minutat e fundit Lazio tentoi të reagojë por vetëm kaq, pasi Inter merr 3 pikët.

Me këtë fitore Inter barazon Napolin e vendit të dytë në kuotën e 22 pikëve dhe tenton të ngushtojë distancën me Juven që numëron 6 pikë më shumë. Ndërkohë që Lazio mbetet e katërta me 18 të tilla. Javën e ardhshme Inter pret Genovën dhe Lazio-SPAL.

EMISIONET