Në prag të ndeshjes me Laçin, radha për të dalur në konferencën për shtyp te Partizani ishte e mbrojtësit Labinot Ibrahimi. Kosovari skanoi skuadrën e kuqe, ndërsa shtoi se presioni i vendit të parë mund t'i shërbejë për mirë ekipit. Qendërmbrojtësi kishte edhe një koment për ndeshjet me dhe pa tifozë.

Ka ndryshim skuadra në krahasim me vitet e kaluara?

"Normalisht kemi shumë ndryshime nga e kaluara, pasi profesori Gega, stafi i tij që ka nga mbrapa, presidenti dhe drejtori kanë bërë një punë shumë të mirë. Normalisht ka ndryshuar shumë nga sezonet e kaluara.

Ndeshja me Laçin?

Duhet ta marrim Laçin si ndeshjet e radhës, po punojmë fort, po bëjmë një punë të mirë dhe besoj që do të dalim me sukses. Kemi punuar, i kemi parë të gjitha ndeshjet e rivalëve, kemi profesorin që na ka këshilluar, kemi punuar fort për këtë javë . I kemi marrë të gjitha masat, vetëm duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, t’i marrim ndeshjet si takimet e radhës dhe besoj sse do të kalojmë më sukses. Edhe sot do të shohim Laçin e nesër do të jemi në fushë të gatshëm.

Si është të luash ndeshjet me dhe pa tifozë?

Është si nata me ditën. Më mirë të mos luhet ajo ndeshje fare, se ndeshja luhet për tifozë, pa ta nuk ka shije futbolli. Ndaj na duhen më shumë se kurrë tifozët, pasi edhe nëpër ndeshje të tjera kemi pak tifozë, edhe ata që i kemi t’i largojmë është absurd, mendoj që duhet të kemi sa më shumë tifozë.

Ke Partizani keni ardhur si qendërmbrojtës , por keni luajtur edhe si mbrojtës i majtë dhe i djathtë. Cili është pozicioni juaj natyral?

Po është e vërtetë, pozicioni im natyral është qendërmbrojtës, por jam përshtatur edhe në role të tjera. Jam në shërbim të Partizanit dhe ku të jetë nevoja do ta bëj me kënaqësi çdo pozicion. E bëj për ekipin, për shokët dhe për familjen e Partizanit.  

Ka presion të jesh kryesues?

 Normalisht, që kur kryeson ka presion, por e vështirë është të mbash këtë pozicion. Ta marrësh është e lehtë, por shpresoj me grupin që kemi do të mbajmë edhe vendin e parë. -tha Ibrahimi.

/Ora News.tv/