Ka shkuar në 26 numri i viktimave pas një zjarrvënie në një studio të filmave vizatimorë në Kioto të Japonisë.

Policia raportoi se i dyshuari, një 41-vjeçar, hodhi benzinë në studion Kyoto Animation Co para se ti vendoste flakën.

Janë raportuar edhe dhjetëra persona të plagosur. I dyshuari është arrestuar dhe u dërgua në spital me lëndime.

Para se ti vendoste flakën ndërtesës i dyshuari kishte thënë: "vdisni". Policia gjithashtu gjeti thika në vendngjarje, raportuan mediat lokale.

Zjarri shpërtheu në ndërtesën tre-katëshe të enjten rreth orës lokale 10:30.

Nuk është e qartë se çfarë lidhje mund të ketë pasur i dyshuari me kompaninë e filmave të animuar.

Mendohet se ka akoma më shumë viktima në katin e fundit, që ishte i mbushur me tym dhe flakë. Operacionet e shpëtimit janë ende në vazhdim.

Një zjarrfikës tha për gazetarët se të paktën 10 viktima u gjetën në shkallët që lidhnin katin e dytë me çatinë.

Rreth 36 persona janë në spital, disa në një gjendje kritike.  Ndërsa rreth 70 vetë ishin në ndërtesë, kur zjarri nisi.

I dyshuari raportohet se nuk është ish-punonjës dhe nuk ka lidhje të dukshme me studio.

Disa gazeta japoneze raportuan se ai u largua nga ndërtesa drejt një stacioni aty pranë, pasi zjarri filloi, por u rrëzua në tokë.

Kyoto Animation, i njohur si KyoAni, u themelua në vitin 1981 dhe prodhoi filma të animuar përfshirë "K-On" dhe "The Melancholy of Haruhi Suzumiya".


/Ora News.tv/